SPAK Kontrollon Banesën E Luan Duzhës Pas Zgjedhjeve, Sekuestrohen Para Dhe Telefona

0

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë një sërë hetimesh intensive në lidhje me krimet zgjedhore, ku në qendër të vëmendjes ka përfunduar kandidati i Partisë Socialiste në Elbasan, Luan Duzha.

Sipas raportimeve, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) i kanë sekuestruar fillimisht telefonin Duzhës dhe më pas, pas analizës së përmbajtjes, kanë kërkuar nga Gjykata e Posaçme leje për të ushtruar kontroll në banesën e tij. Kontrolli është realizuar në prani të dy patrullave të policisë vendore.

Ndërkohë që nuk ka ende konfirmim zyrtar për përmbajtjen e sekuestrimeve në banesën e tij, mësohet se në një nga kontrollet është kapur një shumë prej 200 mijë eurosh cash, ndonëse nuk është sqaruar nëse këto janë gjetur në banesën e Duzhës apo në një tjetër vendbanim të lidhur me hetimet.

Një takim i nivelit të lartë mes SPAK, BKH dhe Prokurorisë së Elbasanit është zhvilluar menjëherë pas këtij operacioni, ku janë shqyrtuar praktikat hetimore, shkëmbimi i të dhënave operative dhe ndjekja e rasteve të blerjes së votës, kërcënimeve ndaj votuesve, keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe përfshirjes së elementëve kriminalë në fushatë.

Gjithashtu, janë kryer kontrolle edhe në një tjetër banesë të një biznesmeni të lidhur me rastin, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme parash dhe dy telefona celularë që mendohet se përmbajnë të dhëna të vlefshme për hetimin.

Hetimi është në vijim dhe SPAK ka theksuar se janë duke u analizuar disa raste konkrete të manipulimit zgjedhor, për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit në përputhje me ligjin.


Artikulli i mëparshëmBerisha: Unë Dhashë Dorëheqjen Kur Humbja Nuk Ishte Farsë, Të Rinjtë Kanë Pasur Shansin E Vet
Artikulli i radhësNew York Times: Aleatët E Izraelit Po Humbasin Durimin Me Luftën Në Gaza