
Shqiptarja që sfidon gjigandët globalë të teknologjisë, vlerësimi rekord për startup-in e saj
Vetëm pak muaj pas largimit nga kompania që krijoi ChatGPT, Mira Murati, emri më i lakuar në botën e inteligjencës artificiale, ka ngritur një nga startup-et më premtuese në skenën globale: “Thinking Machines Lab”.
Sipas raportimit të Financial Times, startup-i i ri i Muratit ka siguruar 2 miliardë dollarë fonde, duke e çuar vlerësimin e kompanisë në 10 miliardë dollarë, një rekord për një kompani të sapokrijuar në këtë fushë.
Liderë të njohur të OpenAI bashkohen me Muratin
Në këtë aventurë të re, Mira Murati nuk është vetëm. Ajo ka bashkuar forcat me John Schulman, bashkëthemelues i OpenAI dhe një nga mendjet shkencore më të respektuara në fushën e AI, i cili tani është shkencëtari kryesor në projektin e ri. Në krah të tyre është edhe Barret Zoph, ish-zv.president për kërkimin në OpenAI, i cili do të mbajë rolin e CTO-s në startup-in e ri.
Fokusi: AI që bashkëpunon me njeriun
Projekti “Thinking Machines Lab” do të përqendrohet në ndërtimin e modeleve të AI që nuk e zëvendësojnë njeriun, por bashkëpunojnë me të. Synimi është krijimi i një platforme që fuqizon sektorë të ndryshëm të punës, duke i dhënë inteligjencës artificiale një rol ndihmës dhe bashkëpunues.
Qeveria Shqiptare bëhet aksionere në superprojektin teknologjik
Në një lëvizje surprizë, edhe Qeveria Shqiptare është bërë pjesë e këtij projekti historik. Me një Akt Normativ për ndryshim buxheti, shteti shqiptar ka investuar 10 milionë dollarë në “Thinking Machines Lab”.
Vendimi është justifikuar me potencialin që ka projekti i Muratit për të ndikuar pozitivisht në ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky është rasti i parë që Shqipëria bëhet investuese në një startup me impakt të tillë global.
Mira Murati dhe ekipi i saj synojnë majat e teknologjisë botërore
Tashmë që financimi është siguruar dhe vlerësimi ka kapur shifrën e 10 miliardë dollarëve, startup-i i Muratit pritet të hyjë në fazën intensive të zhvillimit të produkteve. Analistët e teknologjisë shprehen se kjo kompani mund të rivalizojë emra të mëdhenj si OpenAI, Anthropic dhe Google DeepMind.
“Thinking Machines Lab” nuk është thjesht një projekt teknologjik – është një kthesë në raportin mes njeriut dhe makinës, dhe një dëshmi se shqiptarët mund të jenë në pararojë të së ardhmes globale.