
Aksident tragjik në autostradën A-52 në Spanjë. Lamborghini i Diogo Jotës shpërthen në flakë. Futbollisti i Liverpool dhe vëllai i tij vdesin në vend.
Pamjet e pak sekondave pas aksidentit fatal të Diogo Jotës janë aq tronditëse saqë edhe kameramani që ndaloi për të filmuar flakët mezi mbante duart pa u dridhur. Supermakina Lamborghini, dikur simbol i luksit, ishte shndërruar në një grumbull hekuri pa formë, të djegur deri në bazë.
Nga Porto drejt Liverpool-it, por jeta ndalet në kilometrin e 65-të
Diogo Jota, ylli i sulmit të Liverpool, po udhëtonte së bashku me vëllain e tij André në autostradën A-52, që lidh veriun e Portugalisë me Spanjën. Qëllimi i udhëtimit: të merrnin tragetin për në Portsmouth dhe më pas të vazhdonin rrugën tokësore për në Angli.
Por fatkeqësia ndodhi vetëm 65 kilometra larg. Në përpjekje për të parakaluar, një nga gomat e Lamborghini-t shpërtheu, duke bërë që Jota të humbiste kontrollin. Makina doli nga rruga, u përplas dhe shpërtheu në flakë.
Pamjet: Makina përfshihet në flakë, kalimtarët në panik
Një shofer kamioni që ndodhej pranë vendngjarjes regjistroi momentet dramatike. Lamborghini u përfshi menjëherë nga flakët. Zjarri ishte aq i furishëm sa brenda pak minutash, nga makina nuk mbeti asgjë tjetër veç një masë metali të zezë dhe të deformuar.
Autoritetet spanjolle konfirmuan se asnjë nga pasagjerët nuk mbijetoi. Trupat e pajetë u gjetën të karbonizuar. Identifikimi i Jotës u bë vetëm nëpërmjet targës së automjetit dhe verifikimeve të mëvonshme mjeko-ligjore.
CNN: Mjekët i kishin sugjeruar të mos fluturonte
Sipas burimeve të CNN, Diogo Jota ishte këshilluar nga mjekët të mos udhëtonte me avion për shkak të një problemi të pashpjeguar shëndetësor. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ai zgjodhi rrugën tokësore.
Pikërisht ky vendim, për të shmangur avionin dhe për të ndjekur një rrugë më të gjatë e të rrezikshme me një supermakinë, rezultoi vdekjeprurës.
Një humbje që tronditi futbollin botëror
Futbolli është në zi. Liverpool, Federata Portugeze, FIFA dhe mijëra tifozë nga e gjithë bota kanë reaguar me trishtim. Diogo Jota ishte jo vetëm një lojtar i dashur, por edhe një ikonë e gjeneratës së re të futbollit europian.