
Për katër vite me radhë, kompania e Skifter Taganit nuk ka asgjësuar asnjë produkt të skaduar, siç e kërkon ligji për sigurinë ushqimore, duke u kthyer në një rrezik të heshtur për shëndetin publik.
Sipas hetimeve të Policisë së Shtetit, në magazinën e “Master AL” në Vorë, produktet e skaduara tërhiqeshin nga tregu, por në vend që të shkatërroheshin, u hiqej ambalazhi me datat e skadencës dhe ripaketoheshin në qese të mëdha transparente, pa asnjë të dhënë identifikuese. Më pas, këto mallra ktheheshin sërish në qarkullim dhe shiteshin me çmime “oferte”, jashtë çdo rregulli tatimor e ligjor.
Të arrestuarit, Florenc Domi (administrator) dhe Agim Domi (magazinier), janë lënë në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Tiranës, ndërsa bashkëpunëtorë të tjerë janë në hetim të lirë. Ata janë justifikuar se produktet do të asgjësoheshin “sapo të krijoheshin kushtet financiare.”
Gjatë aksionit, policia sekuestroi 716 koli me mallra të skaduara, përfshirë fruta të thata dhe kroasantë, të importuara nga Turqia me emrat e firmave të njohura. Hetuesit dyshojnë se këto mallra janë ofruar si dhurata në lokale dhe pika shitjeje me volum të lartë, duke ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore të qytetarëve.
Më alarmante, është fakti se produktet e skaduara mbaheshin në të njëjtin ambient me produktet e freskëta, duke rritur rrezikun e kontaminimit dhe helmimeve masive, sidomos gjatë sezonit të verës.
Ndërkohë që ligji e përcakton qartë se kostot e asgjësimit i mbulon operatori, dhe kërkon njoftimin e autoriteteve për çdo procedurë asgjësimi, “Master AL” ka manipuluar zinxhirin e sigurisë ushqimore në mënyrë kriminale dhe sistematike.
Skandali hedh dritë mbi dështimin e institucioneve për të mbikëqyrur sigurinë ushqimore, duke e bërë këtë rast një krim të lejuar nga mosveprimi i shtetit. Emri i Skifter Taganit është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, si një simbol i biznesit kriminal me ushqimin, ku pasiguria e konsumatorit është kthyer në burim fitimi.