Milan I Bën Paralajmërimin Club Brugge: Oferta Finale Për Ardon Jasharin

0

Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se klubi kuqezi ka dorëzuar një ofertë të përmirësuar dhe përfundimtare për mesfushorin Ardon Jashari, aktualisht pjesë e Club Brugge. Sipas tij, Milan nuk do të bëjë më asnjë hap tjetër në drejtim të rritjes së çmimit, duke vendosur presion të qartë mbi klubin belg për ta mbyllur marrëveshjen.

“Kemi një marrëdhënie të mirë me Club Brugge dhe kemi bërë një ofertë të re për Jasharin. E konsiderojmë të rëndësishme dhe të përshtatshme për vlerën e lojtarit. Nuk jemi të gatshëm të shkojmë më tej,” – deklaroi Tare për Gazzetta dello Sport.

Sipas gazetës italiane, oferta fillestare e Milanit ishte 32.5 milionë euro plus 2 milionë në bonuse, ndërsa oferta finale ka arritur në 33.5 milionë euro, me bonuse që mund ta çojnë totalin në 35 milionë euro.

Nga ana tjetër, Jashari ka rënë dakord për kushtet personale me Milanin, ndërkohë që më herët gjatë muajit korrik, Tare kishte deklaruar se vetë lojtari e dëshironte kalimin në “San Siro” këtë sezon.

Ndërkohë, nga Belgjika nuk ka munguar përgjigjja. Kapiteni i Club Brugge, Hans Vanaken, javën e kaluar kishte paralajmëruar se klubi kërkon 40 milionë euro për kartonin e Jasharit. Kjo ka sjellë një bllokim të përkohshëm në negociata, ndërkohë që lojtari nuk është grumbulluar për ndeshjen e sotme të kampionatit ndaj Genk – ashtu siç ndodhi edhe në finalen e Superkupës ku Brugge mposhti Union Saint-Gilloise.

E ardhmja e Jasharit mbetet në pikëpyetje, ndërsa Milan pret përgjigjen përfundimtare nga Club Brugge për një lojtar që e shikon si pjesë kyçe të projektit të ri.


Artikulli i mëparshëmSkandal: 3 Vite Burg Për Mediat Që Kritikojnë Drejtësinë – Avokati Arben Llangozi Denoncon Nenin 536
Artikulli i radhësPushime Me Jaht Dhe Pranga Në Palasë: Si U Kapën Bosët E Kokainës Me Ora, Makina Dhe Miliona Euro