Historike! Shkëndija kalon në turin e tretë të Champions-it dhe siguron pjesëmarrjen në europë

0

Shkëndija e Tetovës ka shkruar historinë, duke kaluar në turin e tretë të Kualifikueseve të Ligës së Kampionëve, pas një fitoreje të madhe 1-2 në Bukuresht përballë FCSB. Rezultati i përgjithshëm i dy ndeshjeve shënoi 1-3 për ekipin shqiptar, i cili tashmë ka siguruar automatikisht pjesëmarrjen në një garë europiane këtë sezon.

Sfida e luajtur në kryeqytetin rumun nisi jo mirë për skuadrën e trajnerit Beqiri, pasi në minutën e 28′ kaluan në disavantazh pas një goli të Cisottit. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm: vetëm pesë minuta më vonë, Latifi riktheu baraspeshën duke i dhënë besim dhe ritëm skuadrës kuqezi.

Edhe pse një barazim do të kishte mjaftuar për kualifikim, Shkëndija nuk u tërhoq. Në minutën e 87’, Krstevski lëshoi një gjuajtje nga jashtë zone, e cila u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke vulosur kualifikimin e merituar.

Me këtë fitore, Shkëndija shkon në turin e tretë të kualifikueseve të Champions League, ku do të përballet me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag. Në çdo rast, ekipi shqiptar ka siguruar minimalisht pjesëmarrjen në fazën grupore të Conference League për sezonin 2025-2026 – një sukses historik për klubin nga Tetova dhe për përfaqësimin shqiptar në arenën ndërkombëtare.


Artikulli i mëparshëm“Mbreti i Shqipërisë” dhe Opozita e Tij Brenda Shtëpisë
Artikulli i radhësKas I Heq Mandatin Kushërirës së Lapaj –  E Merr Një 60-Vjeçareje Pa Lidhje Me Politikën