
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar fikjen arbitrare të sinjalit të News24 dhe rrethimin me forca policore të redaksive si një akt të qartë hakmarrjeje politike nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Bardhi ka rikthyer në vëmendje një shkrim të publikuar në Gazetën Shqiptare më 8 gusht, që sipas tij u bë shkak për hakmarrjen e Ballukut ndaj grupit mediatik “Focus Group Media”, pronar i News24, një ditë më pas, mëngjesin e 9 gushtit.
“Më 8 gusht 2025, ora 18:40, Gazeta Shqiptare, pjesë e ‘Focus Group Media’, publikoi shkrimin për komunikimin e pritshëm të akuzës nga SPAK për Zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Më 9 gusht 2025, ora 07:00, shoqëria shtetërore KAYO sh.a., ku kryetar i Këshillit Mbikëqyrës është Ermal Nufi, urdhëroi zaptimin e të gjitha pronave ku ushtrojnë veprimtarinë mediatike News24, Balkanweb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama, pavarësisht se pjesa dërrmuese e tyre nuk i ka kaluar në administrim kësaj shoqërie shtetërore. Pronat janë me qira të vlefshme deri në vitin 2033, me një vlerë vjetore qiraje prej 180 mijë euro, siç ka konfirmuar edhe vetë MEKI në një deklaratë zyrtare”, shkruan Bardhi.
Në artikullin e Gazetës Shqiptare të 8 gushtit, Balluku përmendet si figura kryesore në një hetim penal të thelluar që lidhet me korrupsion, shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe skandale të shumta në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
Ky zhvillim ka ngritur alarmin në radhët e mediave dhe organizatave për lirinë e shtypit, të cilat e shohin ndërhyrjen e forcave policore dhe bllokimin e sinjalit të një televizioni kombëtar si një precedent të rrezikshëm për lirinë e medias në Shqipëri.