
Një nga dosjet më të mëdha të SPAK, me 282 faqe, ka zbuluar prapaskenat e një organizate kriminale shqiptare të trafikut të kokainës, e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, e cila dyshohet se ka qarkulluar mbi 100 milionë euro të përfituara nga ky aktivitet. Ky grup i fuqishëm kriminal, i cili diktonte çmimin e kokainës në Europë, transportonte sasi të mëdha parash cash nga Amerika Latine në Europë dhe më pas në Shqipëri.
Roli I Franc Çopjas Dhe Ervis Çelës
Sipas dosjes, Franc Çopja, i arrestuar më herët në Belgjikë, menaxhonte pritjen e lëndës narkotike dhe akumulimin e të ardhurave, ndërsa në Shqipëri paratë i administronte Ervis Çela. Komunikimet e zbërthyera nga Sky ECC, të siguruara falë bashkëpunimit të SPAK me Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese europiane, zbulojnë mënyrat e fshehjes dhe investimit të fitimeve.
Në një bisedë të dhjetorit 2020, Ervis Çela i shkruante Franc Çopjas se do t’i groposnin eurot poshtë rrënjëve të 200 ullinjve që kishte në pronësi. Çopja e këshillonte t’i kthente në lingota ari, duke i paralajmëruar se paratë nën tokë do të shkatërroheshin.
Pjesë Nga Përgjimet
- Ervis Çela: “Kam 200 ullinj në mal, duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.”
- Franc Çopja: “Aahaha… ktheji flori. Mos fut lek në tokë. Më dëgjo mu…”
- Ervis Çela: “S’ka flori… duhet me grabit naj bank… Duhet me porosit nga Afrika…”
- Franc Çopja: “E di që s’ka… Po mblidhi avash-avash… Mos fut lek në tokë se të prishen.”
Shumat Marramendëse
Në një tjetër bisedë me vëllain e tij, Riza Çela, më 14 dhjetor 2020, Ervis Çela pohon se kanë akumuluar mbi 100 milionë euro. Ndërkohë, komunikimet me vëllain tjetër, Ardjan Çela, tregojnë për përgatitjen e “gropave” për fshehjen e parave, ku përmendet edhe dërgimi i 4–5 milionë eurove shtesë brenda javës.
Arrestimet
Në megaoperacionin e SPAK u arrestuan 10 persona, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes tyre:
- Ervis Çela – arrest në burg
- Franc Çopja – arrestuar në Belgjikë
- Albin (Defrim) Çela, Petrit Lakatos (Sulejmani), Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela – arrest në burg
- Riza Çela – arrest shtëpie
- Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa – detyrim paraqitjeje, të dy shoferë autobusësh që transportonin paratë në Shqipëri.
SPAK e konsideron këtë rrjet si një nga strukturat më të sofistikuara të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në rajon, me investime të shumta të padeklaruara dhe lidhje ndërkombëtare.