
Pas një vere të shënuar nga zjarre masive që sfiduan kapacitetet e emergjencës, kryeministri Edi Rama organizoi ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare, ku ndau medalje dhe shpërblime për forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit.
Në fjalën e tij, Rama iu përgjigj kritikave të shumta për mungesën e ndërhyrjes nga ajri në shuarjen e flakëve. Ai theksoi se Shqipëria ka pasur ndihmë falë mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, duke shtuar se avionët nuk janë “magjistarë” që mund të zgjidhin gjithçka.
“Kur dëgjojmë zërat përse Shqipëria nuk ka avionë, avionët nuk janë magjistarë. Ata janë ndihmës të fuqishëm, që nuk na kanë munguar falë mekanizmit europian të mbrojtjes civile, por nuk janë të plotfuqishëm. 22 avionë nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve në Izmir, ashtu sikurse nuk u shmang dot shkrumbimi në Los Anxhelos,” tha Rama.
Kryeministri njoftoi se Shqipëria do të ketë së shpejti flotën e vet të avionëve, duke nisur me dy mjete ajrore të dedikuara për shuarjen e zjarreve. Por ai insistoi se forca e vërtetë është sakrifica në terren:
“Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë dhe ne do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do nis me dy avionë, por magjia është sakrifica në tokë,” theksoi Rama.
Ceremonia u shoqërua me dekorime për zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e tjera që u përballën me flakët gjatë kësaj vere, të cilët, sipas Ramës, “rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët”.