Debatet Për Komisionet Parlamentare, Një Betejë Për Procedura Pa Përmbajtje

0

Në Kuvend shpërtheu sërish një debat i gjatë mes mazhorancës dhe opozitës, këtë herë mbi ndryshimet në Rregulloren që prekën ndarjen e komisioneve parlamentare. Opozita u ngrit në këmbë duke folur për “shkelje të Kushtetutës” dhe “përjashtim nga procesi i integrimit”, ndërsa mazhoranca këmbënguli se gjithçka bëhet për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së.

Por në thelb, ky debat mbetet një luftë për procedura, pa asnjë ndikim real në funksionimin e shtetit. Nuk ka rëndësi të madhe nëse komisionet janë 11 apo 8, kush i drejton apo si emërtohen, për sa kohë që ato mbeten institucione që nuk arrijnë të zbardhin, hetojnë apo procedojnë skandalet më të mëdha që kanë tronditur vendin.

Legjislatura e kaluar është shembulli më i qartë: komisionet e drejtuara nga opozita nuk dhanë asnjë rezultat konkret. Ato nuk prodhuan hetime që të çonin në zbardhje skandalesh, nuk sollën prova të reja për aferat e korrupsionit dhe nuk ndërtuan mekanizma që t’i rezistonin shumicës. Pra, edhe kur opozita kishte kontroll mbi disa komisione, rezultati ishte dështim.

Ndaj, kjo përplasje e radhës mes palëve është më shumë një shfaqje politike, një betejë për të mbajtur gjallë retorikën e “shkeljes së Kushtetutës” dhe “legjitimitetit parlamentar”, ndërkohë që qytetarët nuk shohin asnjë ndryshim në jetën e tyre. Në thelb, kjo është një përplasje boshe, ku humbësi i vetëm mbetet publiku.


Artikulli i mëparshëmDasma E Djalit Të Topallit Dhe Dështimi I Opozitës
Artikulli i radhësVangjush Dako përfundon sërish në burg – Apeli lë në fuqi masën