
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas sulmit të armatosur ndaj Kishës së Jezu Krishtit në Grand Blanc, Michigan, duke e cilësuar atë si një “sulm të synuar ndaj të krishterëve në Shtetet e Bashkuara”.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha se është informuar menjëherë për ngjarjen tragjike dhe se FBI-ja ka marrë kontrollin e hetimit. “Jam informuar për sulmin e tmerrshëm të armatosur. FBI-ja mbërriti menjëherë në vendngjarje, do të udhëheqë Hetimin Federal dhe do t’u ofrojë mbështetje të plotë zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë. I dyshuari ka vdekur, por ka ende shumë për të mësuar”, shkroi ai.
“Sulm ndaj të krishterëve”
Trump e përshkroi incidentin si pjesë të një modeli të përsëritur dhune kundër komuniteteve fetare. “Ky duket të jetë një tjetër sulm i synuar kundër të krishterëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” theksoi presidenti amerikan.
Thirrje për lutje dhe fund të dhunës
Në reagimin e tij, Trump u bëri thirrje qytetarëve të luten për viktimat dhe familjet e tyre, duke e cilësuar situatën si një “epidemi dhune” që duhet të marrë fund sa më shpejt. “Kjo epidemi dhune në vendin tonë duhet të marrë fund menjëherë,” paralajmëroi ai.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe pritet që hetimet federale të zbardhin motivet dhe rrethanat e plota të sulmit.