
Erion Veliaj ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, duke hyrë hapur në konflikt me linjën politike të Partisë Socialiste. Në kërkesën e dorëzuar, Veliaj argumenton se neni 62 i ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” nuk mund të lexohet i pavarur nga neni 115 i Kushtetutës, i cili lejon shkarkimin vetëm për “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” dhe u njeh të drejtën e ankimit brenda 15 ditësh me efekt pezullues.
Sipas ankimimit, mungesa e tij ka qenë pamundësi objektive për shkak të një mase sigurie dhe nuk përbën “shkelje të rëndë”, ndërkohë që vijimësia e funksioneve të bashkisë është siguruar përmes delegimit ligjor. Veliaj citon edhe jurisprudencë të Gjykatës Kushtetuese mbi përparësinë e dispozitave kushtetuese dhe mbrojtjen e autonomisë vendore, duke e cilësuar aktin e qeverisë si tejkalim kompetencash dhe interpretim të gabuar të hierarkisë së normave.
Në plan politik, lëvizja e vendos ish-kryebashkiakun në përplasje të drejtpërdrejtë me mazhorancën, vetëm pak ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit për shkarkim. Në vijim, pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë fillimisht pezullimin e efektit të vendimit dhe më pas çështjen në themel, çka mund të ketë pasoja të menjëhershme mbi drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe ekuilibrat brenda PS.