
Muzika shqiptare humbi sot një prej zërave më të mëdhenj të saj. Luiza Papa Çako, sopranoja e njohur që për dekada u ngjit në skenat më të rëndësishme të vendit dhe jashtë tij, është ndarë nga jeta në moshë të shtyrë.
Me një karrierë të pasur dhe me dhjetëra role kryesore të interpretuara në operë, Çako mbetet një prej figurave që vulosën historinë e artit lirik shqiptar. Ajo njihej për teknikën vokale të përsosur, për emocionin që përcillte tek publiku dhe për elegancën që e shoqëroi në çdo dalje të saj.
Artistja ishte bashkëshortja e tenorit të madh Gaqo Çako dhe nëna e kantautorit të njohur Pirro Çako, duke qenë pjesë e një familjeje që mbetet themel i muzikës shqiptare.
Reagimi i parë erdhi nga djali i saj, Pirro, i cili me një fjalë të vetme, por me një dhimbje të madhe, postoi në rrjetet sociale: “Lamtumirë!”, të shoqëruar me një foto nga fëmijëria. Një mesazh i thjeshtë, por që shkund çdo zemër të ndjeshme.

Ndarja nga jeta e Luiza Çakos lë një boshllëk të madh në skenën artistike dhe kujtimet e një brezi që e përjetoi me duartrokitje dhe respekt. Sot, muzika shqiptare humbi një nga ikonat e saj më të mëdha, ndërsa publiku i saj i gjerë mbetet me mallin dhe trashëgiminë e pavdekshme që ajo la pas.