
Bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej ka dhënë një tjetër dëshmi tronditëse, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si u ekzekutua Emiljano Ramazani në vitin 2020 dhe rolin e figurave të botës së krimit në këtë ngjarje.
Roli i Xhuliano Hoxhës
Alibej tregoi se Xhuliano Hoxha ishte informatori kryesor që i sinjalizonte lëvizjet e Ramazanit, veçanërisht praninë e tij të shpeshtë në palestër. Komunikimet, sipas dëshmisë, janë bërë në rrjetin e koduar Sky ECC, ku çdo hap i viktimës u përcoll në kohë reale.
“Ditën e ekzekutimit, vetëm ai ka qenë informator. Qëndronte pranë palestres dhe më jepte çdo informacion. Për mua ishte i besueshëm,” u shpreh Alibej.
Pagesat dhe lidhjet me Dumani
I penduari rrëfeu se pas vrasjes kishte detyrimin financiar ndaj grupit të Nuredin Dumanit. “Duhet të çoja pagesën tek rrethi, pranë TEG. Kam dërguar Arsen Preçin me 80-85 mijë euro. Një vajzë shkoi me taksi dhe mori lekët,” tha ai, duke sqaruar se Dumani nuk e njihte Ramazanin, por informacionet ia kishte dhënë vetë.
Përfshirja në vrasje të tjera
Në dëshmi u përmend edhe tentativa për eliminimin e Bujar Çelës, ku sipas Alibej, ishin ngarkuar Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj, por plani nuk u finalizua. Edhe në këtë rast, sipas tij, Xhuliano Hoxha ka pasur rolin e informatorit.
Një rrëfim që rëndon edhe më shumë dosjen
Deklaratat e reja të Alibej e lidhin vrasjen e Ramazanit me një rrjet të gjerë emrash të njohur të botës së krimit, duke zbuluar mekanizmat e pagesave, kanalet e komunikimit dhe mënyrën sesi organizoheshin ekzekutimet.
Ky rrëfim e forcon akoma më shumë panoramën e përgjakshme ku emra si Talo Çela, Mikael Qosja dhe vëllezërit Çopja shfaqen si hallka të një zinxhiri mafioz që prej vitesh ushqen spiralen e dhunës në vend.