
Reagimi i deputetit socialist Loer Kume pas arrestimit të vëllait të tij, Enea Kume, lë për të dëshiruar. Duke u fshehur pas shprehjes së njohur “gjithkush është i pafajshëm deri në një vendim fajësie”, ai duket se tenton të ruajë një qëndrim formal, por në fakt shmang thelbin e çështjes: akuzat nuk kanë të bëjnë me shkelje të vogla, por me pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe në një vrasje për hakmarrje.
Në një vend ku krimi i organizuar ka qenë për vite të tëra i lidhur ngushtë me politikën, çdo deputet që gjendet në një situatë të tillë, sidomos kur bëhet fjalë për familjarë të ngushtë, duhet të tregojë më shumë përgjegjësi publike. Nuk mjafton një deklaratë e thatë për prezumimin e pafajësisë. Ky është një parim themelor juridik, por nuk përjashton dot detyrimin moral e politik për të reaguar me qartësi.
Fakti që bëhet fjalë për akuza të rënda – jo për “vrasje mushkonjash”, por për përfshirje në një krim të rëndë kundër jetës së një njeriu – e bën të domosdoshme qëndrimin e prerë. Një deputet i sapozgjedhur nuk mund të mbyllet vetëm tek frazat juridike, kur vetë integriteti i institucioneve që përfaqëson është në pikëpyetje.
Ky rast është një provë e qartë e asaj se si politika shqiptare ende nuk ka ndërtuar kulturën e ndarjes së qartë të përgjegjësisë publike nga lidhjet familjare apo personale. Dhe sa herë që zyrtarët shmangen me përgjigje të vakëta, krijohet përshtypja se vendi ndodhet ende në hijen e të njëjtave aleanca të vjetra mes pushtetit dhe krimit.