Dhunuan Policin Gjatë Detyrës – Në Burg Deni Selimllari, Tjetri në “Detyrim Paraqitje”

0

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Deni Selimllarin, njërin nga djemtë e ish-Miss Shqipëria, Valbona Selimllari, pas incidentit të ndodhur më 4 tetor, kur ai dhe vëllai i tij dhunuan një efektiv policie gjatë ushtrimit të detyrës.

Ndërsa vëllai i tij është lënë në masën “detyrim paraqitje”, vendim që e detyron të paraqitet periodikisht në polici.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur dy të rinjtë janë ndaluar nga një patrullë policie për kontroll. Në vend që të binden ndaj urdhrave të efektivit, ata kanë goditur policin dhe më pas janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr. 2 në Tiranë.

Në dhomat e shoqërimit, ata kanë thyer kamerën e sigurisë dhe kanë dëmtuar derën, duke e përshkallëzuar situatën. Burime policore bëjnë me dije se dy vëllezërit kanë kërcënuar edhe punonjësit e tjerë të rendit që ndodheshin në ambient.

Ngjarja ka ngjallur vëmendje publike për shkak të lidhjes familjare me personazhin e njohur të ekranit, por autoritetet kanë theksuar se rasti do të trajtohet si çdo akt dhune ndaj efektivëve të policisë dhe do të ndiqet penalisht në bazë të ligjit.

Deni Selimllari do të qëndrojë në burg deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa për vëllanë e tij hetimet do të zhvillohen në gjendje të lirë.


Artikulli i mëparshëm(VIDEO) Çmenduria Në Tiranë: Dalin Pamjet E Ndjekjes Nga Shqiponjat Ndaj Personit Të Armatosur
Artikulli i radhësBerisha shpall kandidatin e opozitës për Tiranën: Florjan Binaj, aktori që dikur imitonte Edi Ramën