Marina luftarake e Shteteve të Bashkuara njoftoi të enjten se dërgoi një destrojer me raketa përmes Ngushticës së Tajvanit, një javë para inaugurimit të Presidentes Tsai Ing-wen. Ajo po merr mandatin e saj të dytë, ndërsa janë shtuar tensionet me Kinën.
Kina, e cila e konsideron Tajvanin territor të sajin, është zemëruar nga mbështetja e fortë e administratës Trump për ishullin, si p.sh. në formën e shitjes së armatimit luftarak. Marrëdhënia Pekin – Uashington është dëmtuar edhe si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Flota Amerikane e Paqësorit, në një deklaratë në faqen e saj në Facebook, tha se destrojeri “USS McCampbell” kishte kaluar të mërkurën përmes ngushticës së ngushtë që ndan Tajvanin nga Kina kontinentale, duke treguar fotografitë e anijes gjatë këtij kalimi.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se anija kishte lundruar drejt jugut në atë që e quajti një “mision të zakonshëm”, duke shtuar se po vazhdonte në atë drejtim.
Zonja Tsai, e cili do të betohet për mandatin e dytë dhe të fundit të mërkurën e ardhshme, fitoi rizgjedhjen me një avantazh të madh në janar, duke u zotuar të mbrojë demokracinë e Tajvanit dhe të përballet me Kinën.
Si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur aktivitetet ushtarake pranë Tajvanit muajt e fundit, përfshirë lundrimet e rregullta amerikane përmes ngushticës së Tajvanit, dhe stërvitje të rregullta të forcave ajrore kineze pranë ishullit.
Të premten e kaluar, Tajvani tha se një aeroplan kinez i forcave ajrore Y-8 kishte kaluar shkurtimisht mbi Zonën e Mbrojtjes Ajrore të Tajvanit, duke bërë që avionët e Tajvanit ta paralajmëronin që të largohej.
Kina i përdor avionët Y-8 si aeroplanë transporti dhe si mjete vrojtimi të hershëm dhe të luftës elektronike.
Tajvani ka denoncuar stërvitjet kineze si përpjekje për frikësim dhe i ka thënë Pekinit se duhet të përqendrojë përpjekjet e tij në luftimin e koronavirusit, dhe jo të rrezikojë ishullin tajvanez.
Kina e konsideron zonjën Tsai një separatiste, akuzat që ajo i mohon me forcë.
Në fund të javës së ardhshme, Kina do të çelë mbledhjen e saj të vonuar vjetore të parlamentit, ku pritet të nxjerrë buxhetin e saj të mbrojtjes për këtë vit, një shifër që vëzhgohet me vëmendje në mbarë rajonin, ndërsa Presidenti Xi Jinping po mbikëqyr një plan modernizimi ushtarak.