
Është zbardhur dëshmia e parë e Elvis Shkëmbit, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që tronditi sistemin e drejtësisë shqiptare.
Në deklarimin e tij para oficerëve të hetimit, 31-vjeçari ka treguar momentet e menjëhershme të krimit, duke pohuar se veproi i shtyrë nga një ndjenjë e fortë mllefi.
“Dëgjova vendimin e gjykatësit, armën e kisha me vete, e mbaja gjithmonë me vete dhe ashtu e mendova për momentin — u ngrita dhe qëllova. Më kapi një si mllef,”
ka deklaruar Shkëmbi para hetuesve.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Elvis Shkëmbi nuk ka shfaqur pendesë të menjëhershme për krimin, ndërsa ka pranuar se arma ndodhej në mbajtje të tij të përhershme.
Hetuesit po verifikojnë mënyrën se si i riu ka mundur ta fuste armën brenda sallës së gjyqit, mes dyshimeve se kontrollet e sigurisë në Gjykatën e Apelit nuk funksiononin në ditën e ngjarjes.
Ndërkohë, xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi, i cili dyshohet se ka pasur dijeni për konfliktin e pronësisë që çoi në tragjedi, nuk ka dhënë ende deklaratë para hetuesve.
Policia po heton edhe rolet e mundshme nxitëse nga të afërmit e autorit, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat balistike të armës së krimit.