Nga Nesër, Kontrolle Shtesë Në Kufi: BE Nis Regjistrimin Me Foto Dhe Shenja Gishtash Për Udhëtarët Jashtë Unionit

0

Nga 12 tetori, Bashkimi Europian do të nisë zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve Entry/Exit System (EES), i cili zëvendëson vulat tradicionale në pasaportë me kontrolle biometrike për të gjithë udhëtarët që vijnë nga vende jashtë BE-së, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.

Si Do Të Funksionojë Sistemi I Ri

Sistemi EES do të regjistrojë automatikisht shenjat e gishtave, fotografinë dhe të dhënat personale të çdo udhëtari që hyn në një vend të zonës Schengen. Kjo do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportës, duke e bërë kontrollin kufitar më të shpejtë, më të sigurt dhe të digjitalizuar.
Fillimisht, zbatimi do të nisë në aeroportet italiane Milano Linate, Malpensa dhe Roma Fiumicino, përpara se të shtrihet në portet e Civitavecchia dhe Gjenova, dhe më pas në të gjitha pikat kufitare të BE-së deri në prill 2026.

Qëllimi Dhe Zbatimi Praktik

Sipas Komisionit Europian, qëllimi i sistemit të ri është rritja e sigurisë, kontrolli i qëndrimeve afatshkurtra (90 ditë brenda 180 ditëve) dhe parandalimi i imigracionit të paligjshëm.
Të dhënat do të ruhen në bazën qendrore eu-LISA me seli në Estoni, që mbledh informacion nga 25 vende të zonës Schengen dhe 4 shtete të lidhura – Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
Në fazën e parë, vetëm 10% e udhëtarëve do t’i nënshtrohen kontrolleve biometrike, përpara se sistemi të bëhet plotësisht funksional.

Efektet Në Kufirin Shqipëri–Greqi

Në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë tashmë po vendosen pajisjet që do të përdoren nga e diela, çka mund të shkaktojë radhë të gjata në pikat e kalimit kufitar gjatë ditëve të para të zbatimit.
Udhëtarët do të mund të plotësojnë një pjesë të procedurës edhe përmes kioskave vetëshërbimi apo aplikacioneve digjitale. Fëmijët nën 12 vjeç do të përjashtohen nga marrja e gjurmëve të gishtave.

Sistemi EES konsiderohet nga Brukseli si “një hap i madh drejt një Evrope më të sigurt dhe më të digjitalizuar”, që modernizon mënyrën e monitorimit të hyrjeve dhe daljeve në kufijtë e kontinentit.


Artikulli i mëparshëmIzolim Total, Masa Të Sigurisë Ekstreme Dhe 90 Minuta Vendimtare: Luhet Serbi–Shqipëri
Artikulli i radhësBalluku Inspekton Punimet Në Aksin Elbasan–Rrogozhinë: Ecuria 60%, 18 Kilometra Gati Në Qershor 2026