Albin Kurti Rrëzon Propagandën E Ramës: “Ishte Ai Që E Solli Gjykatën Speciale Me Helikopter Në Kosovë”

0

Në prag të protestës gjithëkombëtare që do të mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke e cilësuar si një nga lobuesit kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas deklaratës së Vetëvendosjes, në kohën kur po vendosej për ngritjen e kësaj gjykate, Rama kishte shkuar me helikopter në Kosovë për të bindur Hashim Thaçin dhe palët e tjera politike që të votonin pro themelimit të saj. “Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë në Këshillin e Evropës dhe u konkretizua më 2011 me raportin e Dick Martyt,” thuhet në reagim.

Vetëvendosje nënvizon se sot, ata që dalin kundër Speciales, janë të njëjtët politikanë që dikur e mbështetën fort krijimin e saj, duke theksuar se “reflektimi mbi të kaluarën është i domosdoshëm për ecjen përpara si shtet e si komb.”

Në deklaratë, lëvizja e drejtuar nga Albin Kurti kërkon që Shqipëria të mos kufizohet në protesta simbolike, por të përdorë peshën e saj në OKB, NATO dhe Këshillin e Evropës për të ngritur çështjen e padrejtësisë ndaj UÇK-së në forumet ndërkombëtare. “Institucionet e Shqipërisë kanë përgjegjësi që këtë çështje ta ngrejnë aty ku flitet dhe vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbej’,” thuhet në reagim.

Në të njëjtën kohë, Kurti kujton se Rama ka folur shpesh në forumet ndërkombëtare duke kritikuar Gjykatën Speciale dhe raportin e Dick Martyt, por thekson se kjo nuk e shlyen përgjegjësinë e tij në rolin që ka luajtur dikur. “Ai nuk mund të fshihet pas fjalimeve të sotme, kur vetë ishte pjesë e presionit që çoi në themelimin e Gjykatës,” deklaron Vetëvendosje.

Protesta do të mbahet të premten në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, ku qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora pritet të kërkojnë drejtësi për ish-komandantët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë prej më shumë se pesë vitesh.

Në fund, mesazhi politik është i qartë: Kurti dhe Vetëvendosje kërkojnë të rrëzojnë propagandën e Ramës, duke rikthyer debatin mbi përgjegjësitë historike të atyre që ndihmuan në ngritjen e Gjykatës Speciale, ndërsa e përdorin sot si simbol për përfitime politike.

Artikulli i mëparshëmFMN Ul Parashikimin Për Rritjen Ekonomike Të Shqipërisë Në 2025
Artikulli i radhësRama Bën Lëvizje në Qeveri: Ja Zv/Ministrat e Shkarkuar dhe Emëruar