Erjon Alibej Zbërthen Krimet e Grupit “Plumbi i Artë” në Gjykatë: Pranon Financimin dhe Pjesëmarrjen në Pesë Vrasje Mafioze

0

Në sallën e Gjykatës së Posaçme, Erjon Alibej dha një prej dëshmive më tronditëse të viteve të fundit në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, duke pranuar hapur përfshirjen direkte në pesë vrasje mafioze që kanë tronditur vendin mes viteve 2019–2021.

Në rrëfimin e tij, Alibej deklaroi se ka qenë financues në ekzekutimin e Dorjan Shkozës, si dhe pjesëmarrës aktiv në vrasjet e Besian dhe Viktor Haxhias, Emiljano Ramazit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës. Ai tregoi se motivi për vrasjen e Shkozës ishte hakmarrja për ekzekutimin e familjarëve të tij, për të cilin fajësonte grupin rival të Talo Çelës.

“Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhia, të Emiljano Ramazit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës,” – u shpreh ai para trupës gjykuese.

Alibej pohoi se ka bashkëpunuar me Nuredin Dumanin, një tjetër figurë kyçe e botës së krimit, i cili i kishte dhënë informacione mbi përfshirjen e Shkozës në vrasjet kundër tij. Ai tha se besonte te Dumani, pasi të dhënat që i kishte dhënë “korespondonin me faktet e ngjarjes”.

Sipas dëshmisë, komunikimet dhe planet për atentatet janë zhvilluar përmes aplikacionit të koduar “Enchro Chat”, që ai e kishte përdorur që prej viteve 2016–2017, duke e kthyer në një kanal të sigurt komunikimi brenda organizatës kriminale.

Në dëshmi, Alibej theksoi se ishte i dënuar më parë për trafik droge dhe kishte dalë nga burgu në vitin 2013. Ai pranoi se “kishte ndërtuar një grup me struktura të qarta kriminale”, që operonte në disa qytete dhe përdorte taktika profesionale për atentate të porositura.

Dëshmia e tij, e dhënë në prani të gazetarëve dhe trupës së posaçme të gjykatës, është cilësuar nga ekspertët si një akt që mund të përcaktojë fatin e shumë të pandehurve në dosjen “Plumbi i Artë”, e cila ka ekspozuar lidhjet midis grupeve kriminale të Çelës, Dumanit, Çopjave dhe Shkozës.


Artikulli i mëparshëmOpozita Në Shqipëri Duhet Të Veprojë Sipas Udhëzimeve Të Ballës Dhe Ramës – Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë 2.0
Artikulli i radhësEkzekutoi Biznesmenin Italian Në Tepelenë – Vetëdorëzohet Autori I Krimit Pas Negociatave Me Policinë