Identiteti Digjital, Rama: Shqipëria Një Vit Përpara Bashkimit Europian

0

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin për prezantimin e Identitetit Digjital, një projekt që, sipas tij, do ta vendosë Shqipërinë një hap përpara Bashkimit Europian në procesin e dixhitalizimit të jetës publike dhe ekonomike.

Rama theksoi se identiteti digjital është një bazë themelore për transformimin teknologjik të vendit, duke e cilësuar këtë nismë si “një moment të shumëpritur dhe një projektim në të ardhmen falë teknologjisë dhe inteligjencës artificiale”.

Shqipëria, një hap përpara BE-së

Kryeministri vuri në dukje se ndërkohë që Bashkimi Europian ka vendosur objektivin për të pajisur qytetarët me identitet digjital në vitin 2027, Shqipëria do të jetë gati një vit më herët.

“Ne do të jemi një vit më parë. E theksoj këtë për të rikujtuar se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë është jashtëzakonisht e madhe”, – deklaroi Rama.

Ai shtoi se identiteti digjital do të jetë në dispozicion të publikut dhe ekonomisë shqiptare në fillim të vitit të ardhshëm, duke hapur një epokë të re në administrimin publik dhe në aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve shtetërore.

Inovacioni dhe inteligjenca artificiale

Rama nënvizoi rëndësinë e inteligjencës artificiale (AI) si një forcë që mundëson kapërcimin e “epokave historike të zhvillimit” për vendet që e përdorin me vizion.

“Falë inteligjencës artificiale, vendet mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka që i mendonin të pamundura. Ne besojmë shumë te fuqia e inovacionit dhe jemi përkushtuar të bëhemi lider në rajon në shërbimet publike dixhitale,” – shtoi ai.

Projekti i Identitetit Digjital konsiderohet një ndër shtyllat kryesore të transformimit të qeverisjes elektronike në Shqipëri, duke ndërtuar një sistem të integruar për verifikimin, nënshkrimin dhe aksesin në shërbime publike e private në mënyrë të sigurt.


Artikulli i mëparshëmFatos Nano Në Gjendje Kritike Në Spital Privat Në Tiranë
Artikulli i radhësIdentiteti Digjital, Një Hap Drejt Modernitetit Apo Fillimi I Kontrollit Total?