
Deputeti demokrat Agron Shehaj shpërtheu me tone të forta në seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën socialiste për kontroll të plotë mbi mediat dhe heshtje të qëllimshme ndaj rasteve të korrupsionit që përfshijnë figura të larta të qeverisë.
Shehaj iu referua drejtpërdrejt rastit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën është raportuar se ndodhet nën hetim nga SPAK për çështje të lidhura me tendera publikë, duke vënë në dukje se ky lajm nuk është pasqyruar pothuajse askund në mediat kryesore të vendit.
“Shiko Taulant, ti je mësuar t’i bësh shqiptarët për budallenj. Por është e qartë pse e keni ngritur këtë komision – për të zhdukur partitë e reja. Doli një lajm që zëvendëskryeministrja është nën hetim për korrupsion, por nuk u raportua në 99% të mediave, sepse ju i paguani. Dhe pastaj dilni këtu e flisni për financimin e partive politike. T’ju vijë turp!”, – deklaroi Shehaj, duke iu drejtuar Taulant Ballës.
Deputeti opozitar e akuzoi Partinë Socialiste për blerje të hapur të hapësirës mediatike dhe për manipulim të opinionit publik, ndërkohë që çështje të ndjeshme që lidhen me zyrtarë të lartë mbulohen ose anashkalohen plotësisht nga televizione kombëtare e portale të mëdha.
Shehaj paralajmëroi se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për transparencë mbi mënyrën se si financohen mediat dhe mënyrën se si fondet publike përdoren për të blerë heshtje e propagandë në favor të qeverisë.
Në fjalën e tij, ai e lidh këtë realitet me gjendjen e demokracisë në vend, duke e cilësuar kontrollin e mediave si një nga format më të sofistikuara të kapjes së shtetit nga pushteti aktual.
