
Pas më shumë se një ore e gjysmë dëshmie në SPAK, ish-kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, duke refuzuar të zbulojë detaje nga dëshmia e tij.
Basha konfirmoi për gazetarët se ishte thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim, por nuk pranoi të saktësojë nëse bëhej fjalë për ngjarjet e 21 janarit 2011, kur katër protestues u vranë para Kryeministrisë nga plumbat e Gardës së Republikës.
“Informacionin se për cilën çështje jam thirrur ju lus ta merrni te institucioni, sepse duhet të respektoj sekretin hetimor,” – deklaroi Basha shkurt, duke shmangur pyetjet mbi përgjegjësitë e asaj dite tragjike.
Kur u pyet nëse kishte ekzistuar urdhër për të qëlluar më 21 janar, Basha u mjaftua të thoshte se nuk do të shtonte asgjë më shumë. Ai e mbylli deklaratën me ironi ndaj gazetarëve:
“Për të tjerat, me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp, por duhet të prisni edhe pak.”
Kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që Basha shfaqet publikisht në një proces hetimor, në një moment kur SPAK ka intensifikuar hetimet mbi zinxhirin e urdhrave dhe përgjegjësive shtetërore të 21 janarit, një nga ngjarjet më të errëta të tranzicionit politik shqiptar.
