
Pas aksidentit fatal që i mori jetën 17-vjeçarit Leandro Shametaj në Vlorë, daja i viktimës ka bërë një deklaratë të fortë për mediat, duke e cilësuar ngjarjen jo si një aksident, por si vrasje me dashje.
Në reagimin e tij publik, ai u shpreh se drejtimi i automjetit me shpejtësi mbi 200 km/orë, në bulevardin e qytetit dhe në gjendje të dehur, nuk mund të trajtohet si një shkelje e rregullave të qarkullimit, por si një akt i qëllimshëm që vë në rrezik jetën e njerëzve.
“Në momentin që ecën me 200 km/orë në bulevard dhe të rezultosh i dehur, nuk ka fjalë për ne. Nuk ishte një aksident, por vrasje me dashje. Ne kërkojmë që të ashpërsohet ligji dhe të dënohen ashpër autorët e këtyre ngjarjeve tragjike,” – tha ai me dhimbje.
Autori i ngjarjes, Hajri Bajramaj, u la në burg me vendim të Gjykatës së Vlorës, ndërsa familjarët e Leandros kërkojnë që drejtësia të forcojë ndëshkimin penal për drejtuesit e dehur apo të shpejtë në rastet kur pasojat janë fatale.
Tragjedia ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe ka nxitur debate për rishikimin e Kodit Rrugor dhe dënimeve për shkelësit e rregullave të qarkullimit, sidomos në rastet kur ato kryhen në mënyrë të papërgjegjshme dhe me pasoja fatale.
