Ministria e Drejtësisë Dorëzon Kërkesën Zyrtare Në Zvicër: Të Hapet Rruga Për Ekstradimin e Arben Ahmetajt

0

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në autoritetet zvicerane kërkesën për ekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili vijon të mungojë para drejtësisë shqiptare në disa procedime të hapura ndaj tij. Ky zhvillim vjen paralelisht me vijimin e gjykimit në themel për dosjen “Buka”, ku Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre me dëm ekonomik që llogaritet në 7 miliardë lekë.

Gjatë seancës së radhës, gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet zyrtare të ardhura nga Interpol Tirana, duke konfirmuar se dokumentacioni ekstradues është përfunduar dhe përcjellë drejt Zvicrës. Njëkohësisht, gjykata vendosi që procesi për dosjen “Buka” të vijojë në mungesë për ish-numrin dy të qeverisë, ndërsa mbrojtja pretendoi se ndaj tij nuk ekziston asnjë masë sigurie për këtë procedim të veçantë.

Avokati Henrik Ligori deklaroi se:
“Për këtë dosje, z. Ahmetaj nuk ka asnjë masë sigurie. Masa është për efekt të një procedimi tjetër.”

Ndërkohë, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, lexoi kërkesën për gjykim, ku kërkohet thirrja e 14 dëshmitarëve, mes tyre edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Gjatë relatimit, SPAK bëri publike edhe një pistë hetimore që lidhet me lëvizjen e një sasie të konsiderueshme parash jashtë vendit:

“Jemi ndeshur me një shumë të madhe parash të transferuar nga Shqipëria drejt një vendi të Bashkimit Europian, e cila po verifikohet.”

Avokati kundërshtoi mënyrën se si po procedon prokuroria, duke theksuar se nuk mund të ketë “akte surprizë” në një proces të rregullt dhe se çdo provë e re duhet paraqitur në kohë.

Nga ana tjetër, SPAK argumentoi se njoftimi i akuzës ishte i detyruar për shkak të afateve të parashkrimit dhe se çështja është ndarë në disa pjesë për shkak të dokumenteve të ardhura nga Austria.

Kërkesa e dorëzuar në Zvicër shënon një fazë të re të përpjekjeve për të sjellë Ahmetajn përpara drejtësisë shqiptare, ndërsa proceset ndaj tij vazhdojnë të prodhojnë tensione të forta procedurale dhe politike.

Artikulli i mëparshëmAvokatët e Veliajt përplasen me prokurorin e SPAK: Kryebashkiaku kërkon të njihet vetë me dosjen, kërkohet laptop në burg
Artikulli i radhësBanorët e Tragjasit, Orikumit dhe Dukatit Protestojnë Para SPAK: Kallëzim për Tjetërsimin e Tokave, Kërkohet Hetim Edhe Në SHBA