
Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të detajuar mbi situatën në vend, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin. Strukturat vendore dhe ato të mbrojtjes civile janë prej orësh në gatishmëri të plotë, në monitorim dhe ndërhyrje aty ku paraqiten probleme me përmbytje, rrëshqitje dherash apo bllokime rrugësh.
Institucionet përgjegjëse njoftojnë se janë në kontakt të vazhdueshëm me ekipet e emergjencave dhe strukturat vendore, për marrjen e masave në çdo rast të përkeqësimit të situatës.
Qarku Lezhë
Në qarkun Lezhë, vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë, Fushë Mamurras, në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin, si dhe në zonat ku reshjet e një dite më parë kanë shkaktuar probleme.
Punonjësit në terren po monitorojnë situatën në fshatin Jezull, njësia administrative Rrëshen, si dhe në fshatin Kodër Rrëshen, ku një banesë rrezikohet nga rrëshqitja e tokës. Niveli i ujit në lumenjtë Drin dhe Mat paraqitet brenda kuotave normale.
Qarku Durrës
Në qarkun Durrës, situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, pasi ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.
Nivelet e ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm janë brenda kuotave normale. Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë për të mbajtur nën kontroll prurjet.
Qarku Kukës
Në qarkun Kukës, situata është nën monitorim të plotë nga autoritetet vendore dhe subjektet kontraktore. Është kryer pastrimi i të gjitha akseve rrugore kombëtare, duke u garantuar kalueshmëria automjeteve.
Qarku Shkodër
Pas një pune intensive në terren është zhbllokuar rruga në segmentin Theth–Ndërlysaj, në njësinë administrative Shalë. Po vijon puna edhe në segmentin Ndërlysaj–Breg-Lumi, për të siguruar lëvizjen normale dhe shmangien e izolimit të zonave malore.
Qarku Vlorë
Në bashkinë Delvinë, në zonat Kalasë dhe Bistricë, lumenjtë janë tërhequr në shtrat, duke liruar rrugët nga uji. Qarkullimi tashmë është i normalizuar në Shelegar dhe Krane.
Në fshatin Dermish, bashkia Finiq, është kryer evakuimi i dy të moshuarve për shkak të pranisë së ujit në banesë.
Kompania kontraktore po punon për pastrimin e rrugës Brataj–Kuç, në fshatin Brataj, bashkia Selenicë. Në bashkinë Vlorë janë dërguar për mbështetje 12 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 motopompa dhe 1 gomone, për të ndërhyrë në zonat problematike.
Qarku Fier
Referuar të dhënave mbi prurjet në lumin Vjosë, në pikëmatjet Përmet–Memaliaj është konstatuar një shtim me intensitet të shpejtë i prurjeve, që reflektohet edhe në pikëmatjen e Urës së Mifolit. Si pasojë është rritur gatishmëria e strukturave operacionale për menaxhimin e çdo situate të mundshme.
Pranë pikave kritike janë vendosur mjete të tonazhit të rëndë: 5 skrepa/fadroma dhe mjete të larta transporti, që të jenë gati për ndërhyrje.
Qarku Elbasan
Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.
Në fshatin Kerpicë, njësia administrative Kushovë, bashkia Gramsh, po monitorohet situata në lumin e Kërpicës, i cili rrezikon të dalë nga shtrati. Po merren masa për të mbrojtur 8 banesa që mund të rrezikohen nga prurjet e ujit.
Qarku Berat
Në qarkun Berat, rreth 20 hektarë parcela me ullishte në lagjet “Lopari” dhe “Selamaj”, në fshatin Veterrik, njësia administrative Velabisht, bashkia Berat, kanë prani uji për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum.
Qarku Korçë
Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar pas zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke shmangur rrezikun për banesat.
Qarku Gjirokastër
Në rrugët urbane të qytetit të Gjirokastrës ka prezencë uji, por pa shkaktuar bllokime të trafikut. Liqeni i Viroit po i afrohet pikës kritike, por është nën monitorim të vazhdueshëm.
Në njësinë administrative Lazarat, në lagjen e poshtme të fshatit ka vërshim të ujërave nga përroi që zbret nga mali i Sopotit. Në Kordhocë, në aksin rrugor Gjirokastër–Kakavijë, ka prezencë të shtuar uji, dhe po punohet nga ekipet në terren.
Në aksin Gjirokastër–Valare, në vendin e quajtur Aznak, ka prezencë të ujit në rrugë dhe kalimi bëhet vetëm me mjete të larta.
Në bashkinë Libohovë problematik mbetet bllokimi i aksit rrugor Suhë–Poliçan, në vendin e quajtur Shkëmbi i Dallëndyshes. Përroi i fshatit Labovë ka shtuar ndjeshëm prurjet, ndërsa në terren po punojnë forcat bashkiake.
Qarku Dibër
Në qarkun Dibër është punuar në të gjitha njësitë problematike për stabilizimin e situatës së krijuar nga reshjet e shumta, veçanërisht në:
- njësinë administrative Zall-Dardhë,
- njësinë administrative Luzni, për shkak të prurjeve të përroit të Kusares,
- njësinë administrative Tomin, fshati Zdojan,
- zonat Arras, fshatin Ketë në njësinë Xibër,
- fshatin Bershi në Klos,
- fshatin Kujtim, fshatin Kurdari etj., ku janë shënuar probleme me rrugët.
Në bashkinë Mat po punohet për largimin e ujit në katet e para të shkollave “Mustafa Gjestila” dhe “28 Nëntori”, si edhe në disa banesa. Puna vijon në Fushë-Baz, lagja “Nelaj”, ku prurjet e përroit kanë bllokuar rrugët.
Nga ana e bashkisë Mat janë vënë në dispozicion 2 mjete zjarrfikëse, 3 fadroma, 5 mjete transporti dhe mbi 40 forca për menaxhimin e situatës. Akset rrugore kombëtare në qark paraqiten të kalueshme.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile theksojnë se vijojnë monitorimin në kohë reale dhe mbajnë kontakte të përhershme me strukturat vendore, në mënyrë që të ndërhyjnë menjëherë aty ku situata mund të përkeqësohet.
