
Një operacion i gjerë policor po zhvillohet në Orosh të Fushë-Arrëzit, ku që prej mëngjesit të sotëm forcat e rendit kanë rrethuar një banesë të braktisur, ku dyshohet se ndodhen dy persona të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.
Autoritetet kanë identifikuar njërin prej tyre: 24-vjeçarin Julian Cumraku, i cili, sipas policisë, ka kërcënuar se do të hapë zjarr ndaj efektivëve. I izoluar brenda godinës, i riu dëgjohet teksa bërtet “Allahu Ekber”, gjë që ka shtuar më tej tensionin gjatë operacionit.
Për shkak të terrenit të largët dhe mungesës së valëve telefonike, informacionet që vijnë nga zona janë të kufizuara. Megjithatë, policia e Pukës ka kërkuar dhe ka marrë mbështetjen e forcave speciale RENEA, të cilat ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë kontrolle me kujdes ekstrem.
Banesa ku janë strehuar personat e dyshuar është e braktisur prej kohësh, ndërsa forcat e rendit po punojnë për të shmangur çdo përplasje të mundshme dhe për të neutralizuar situatën pa viktima.
Kontrollet vijojnë, ndërsa burime nga zona thonë se operacioni pritet të zgjasë për sa kohë të jetë e nevojshme për garantimin e sigurisë së efektivëve dhe komunitetit.
