U qëlluan pranë Shtëpisë së Bardhë: Vriten dy anëtarë të Gardës Kombëtare të SHBA

0

Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare të SHBA humbën jetën këtë të mërkurë në Washington D.C., pasi u qëlluan me armë vetëm një bllok larg Shtëpisë së Bardhë. Ngjarja tronditëse u konfirmua fillimisht nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, ndërsa më pas u pasua nga një deklaratë e Guvernatorit të Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey.

Ai njoftoi se të dy anëtarët e Gardës së Virxhinias Perëndimore “ndërruan jetë nga plagët e marra”, duke e cilësuar këtë një ditë “jashtëzakonisht të dhimbshme” për forcat ushtarake amerikane.

Sipas të dhënave të para të raportuara nga Reuters, të shtënat ndodhën shumë pranë perimetrit të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, duke detyruar forcat e rendit të bllokojnë zonën dhe të vendosin kufizime të menjëhershme të lëvizjes. Dhjetëra automjete policie u vunë në gatishmëri ndërsa oficerët izoluan vendin e ngjarjes me shirit sigurie.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi menjëherë në platformën Truth. Ai e përshkroi autorin e sulmit si “kafsha që qëlloi dy anëtarët e Gardës Kombëtare”, duke paralajmëruar se “do të paguajë një çmim të lartë”. Trump shprehu mbështetjen për Gardën Kombëtare, ushtrinë dhe forcat e rendit, duke i cilësuar si “njerëz vërtet të jashtëzakonshëm”.

Zëvendëspresidenti J.D. Vance deklaroi se motivi për sulmin mbetet ende i paqartë. Ndërkohë, autoritetet konfirmuan arrestimin e një personi të dyshuar, por nuk dhanë më shumë detaje për identitetin apo qëllimin e tij.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi se godina u vendos në izolim të menjëhershëm si masë paraprake sigurie. Presidenti Trump, i cili ndodhej në Florida përpara festimeve të Ditës së Falënderimeve, u informua menjëherë për situatën.

Raportet fillestare sugjerojnë se dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare mund të kenë tentuar të ndërhyjnë për të neutralizuar autorin e sulmit, pasi “hapën zjarr” ndaj tij përpara se të qëlloheshin. Ende nuk është e qartë nëse ata ishin objektivi kryesor apo u përfshinë gjatë tentativës për të ndaluar sulmuesin.

Për shkak të operacionit të evakuimit mjekësor, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) pezulloi për rreth 19 minuta fluturimet që niseshin nga Aeroporti Ndërkombëtar Ronald Reagan, përpara se trafiku ajror të normalizohej sërish.

FBI ka marrë pjesë në hetim dhe po punon së bashku me policinë e Uashingtonit për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur kryeqytetin amerikan.

Artikulli i mëparshëmNdahet nga jeta këngëtari Shpat Kasapi pas një ataku kardiak
Artikulli i radhësPamje Dramatike në Hong Kong: Zjarri Shkatërron Bllokun Gjigant me 2 Mijë Apartamente