Pamje Dramatike në Hong Kong: Zjarri Shkatërron Bllokun Gjigant me 2 Mijë Apartamente

0

Një ngjarje e rëndë ka goditur Hong Kongun këtë të mërkurë, ku një zjarr masiv ka përfshirë një nga komplekset më të mëdha të banimit në distriktin Tai Po. Autoritetet konfirmojnë se të paktën 36 persona kanë humbur jetën, ndërsa 279 rezultojnë ende të zhdukur, në atë që po konsiderohet një nga katastrofat më të rënda urbane të viteve të fundit.

Zjarri shpërtheu në kompleksin e quajtur Wang Fuk Court, duke përfshirë të paktën pesë nga tetë kullat gjigante të banuara. Re të dendura tymi të zi mbështollën qiellin, ndërsa flakët e fuqishme dhe zhurma e skelave të bambusë që digjeshin krijuan skena kaotike dhe të frikshme.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 29 persona ndodhen në spital, prej të cilëve 7 janë në gjendje kritike. Situata u rëndua më tej nga humbja e një zjarrfikësi 37-vjeçar, me të cilin ishte humbur kontakti për rreth 30 minuta dhe që u shpall i vdekur menjëherë pas mbërritjes në spital me djegie të rënda në fytyrë.

Autoritetet kanë klasifikuar katastrofën si kategori 5, niveli më i lartë i alarmit në Hong Kong. Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi mobilizim të plotë dhe të gjitha përpjekjet për të kufizuar numrin e jetëve të humbura.

Zjarri vazhdoi të përhapej edhe pas rënies së natës, ndërsa zjarrfikësit hasën vështirësi serioze për të hyrë brenda në ndërtesa, një pjesë e të cilave vijonin të digjeshin pa shenja qetësimi. Oficerët e policisë në vendngjarje nuk ishin në gjendje të konfirmonin nëse në godinat e brendshme ndodheshin ende banorë të bllokuar.

Më shumë se 2 mijë apartamente besohet se janë prekur nga flakët, ndërsa në këtë kompleks jetonin rreth 6 400 persona. Shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur dhe hetimet pritet të zgjerohen në orët në vijim.


Artikulli i mëparshëmU qëlluan pranë Shtëpisë së Bardhë: Vriten dy anëtarë të Gardës Kombëtare të SHBA
Artikulli i radhësShehaj Publikon Dokumentin: Si u Zhdukën 120 Milionë Eurot e ‘Bankers’ me Firmën e Ballukut