
Një makinë e djegur tip Audi, e gjetur në afërsi të fshatit Mirakë në aksin Elbasan–Librazhd, po konsiderohet si prova kryesore e përdorur nga autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka (Mëhalla), i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në lagjen “Emin Matraxhiu”.
Automjeti i shkrumbuar është zbuluar para kthesave të Murrashit, vetëm pak orë pas atentatit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se makinat e tipit Audi, veçanërisht ato me ngjyrë të zezë, janë vënë në fokusin e kontrolleve pasi dyshohet se autorët janë larguar me shpejtësi drejt Librazhdit, me mundësinë reale të kalimit më pas nga zona juglindore drejt Greqisë.
Dhjetë persona janë shoqëruar deri tani, ndërsa policia ka ngritur katër postblloqe në Korçë, Pogradec dhe Devoll për të izoluar çdo pikë daljeje të mundshme. Kontrollet po kryhen edhe në banesa, rrugë dytësore dhe ambiente të braktisura.
Si Ndodhi Ekzekutimi
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:35, në afërsi të karburantit të viktimës. Sipas burimeve të para, 43-vjeçari Mëhalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, vetëm pak metra larg banesës së nënës. Në momentin që u ul në automjetin e tij të parkuar, dy persona i janë afruar dhe kanë hapur zjarr nga afër.
Ekspertët e kanë cilësuar vrasjen si një ekzekutim tipik mafioz: viktima u qëllua me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas sinjalizimit, policia rrethoi zonën dhe vendosi pika të shumta kontrolli në të gjitha rrugët dalëse të qytetit. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë sekuestruar dhe po analizohen intensivisht.
Pista Hetimore
Sipas të dhënave zyrtare, Mëhalla kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Hetuesit po shqyrtojnë edhe një konflikt të ndodhur disa ditë më parë, që mund të lidhet me motivin e vrasjes.
Operacioni policor mbetet në zhvillim, ndërsa autorët vijojnë të jenë të paidentifikuar. Hetimet po ecin në disa pista paralelisht, me fokus te lëvizja e autorëve pas vrasjes dhe përdorimi i makinës së djegur si mjet zhdukjeje provash.
