Sushi Që I Mori Jetën 15-Vjeçarit: Dënohet Pronari Kinez, Shpëton Mjeku — Familja Akuza Të Rënda Gjykatës

0

Gjykata në Napoli ka dhënë vendimin për një nga ngjarjet më të komentuara të katër viteve të fundit: vdekjen e Luca Piscopo, 15 vjeç, i cili humbi jetën më 2 dhjetor 2021 pas nëntë ditësh vuajtjesh të rënda, të nisura pas një vakti sushi në një restorant “all you can eat” në zonën Vomero. Vendimi i shumëpritur u shpall pikërisht në përvjetorin e tragjedisë, duke rihapur plagët për familjen që ka kërkuar drejtësi prej ditës së parë.

Vendimi: Dy vite e gjysmë burg për pronarin, mjeku i familjes i pafajshëm

Gjykatësi i vetëm, Giuliana Taglialatela, dënoi me 2 vite e gjysmë burg pronarin kinez të restorantit për vrasje nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të higjienës ushqimore. Ai u detyrua gjithashtu të paguajë dëmshpërblime për palët civile.

Ndërkohë mjeku i familjes së djalit, gjithashtu i akuzuar për vrasje nga pakujdesia, u shpall i pafajshëm. Sipas gjykatës, nuk u arrit të provohej se ai kishte përgjegjësi direkte në përkeqësimin e gjendjes së adoleshentit.

Prokurorja Federica D’Amodio kishte kërkuar dënime më të rënda: 3 vite burg për pronarin dhe 1 vit e 8 muaj për mjekun.

Ngjarja që tronditi Italinë

Më 23 nëntor 2021, Luca darkoi me miqtë në restorantin sushi. Pak orë më vonë filloi të shfaqte simptomat e para të helmimit ushqimor. Pas nëntë ditësh vuajtjesh të rënda dhe humbjes së 10 kilogramëve në peshë, adoleshenti u shua nga miokarditi, një inflamacion fatal i muskulit të zemrës, i cili – sipas ekspertizës – mund të ishte i lidhur me gjendjen e rënduar nga helmimi.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm prindërit, motra, të afërmit dhe miqtë e djalit, disa prej të cilëve kishin qenë me të gjatë drekës fatale.

Reagimi i nënës: “Kjo nuk është drejtësi”

Me lot në sy dhe me zërin që i dridhej, nëna e Luca-s, Maria Rosaria Borrelli, deklaroi:

“Nuk është bërë drejtësi e plotë. Djali im vdiq pas ditësh torturash, por mjeku nuk na telefonoi asnjëherë. Nuk na intereson dëmshpërblimi, të dy meritonin dënimin maksimal.”

Fjalët e saj e kthyen atmosferën e sallës në një moment të rëndë emocional, duke reflektuar dhimbjen që familja ka përjetuar që prej humbjes së djalit.

Çështja vazhdon

Edhe pse ky është një vendim i shkallës së parë, familja ka paralajmëruar se do të vijojë betejën në apel, duke kërkuar që përgjegjësit të marrin dënimin që, sipas tyre, u përket.

Tragjedia e Luca Piscopo-s ka hapur një debat të gjerë në Itali për kontrollet ushqimore, përgjegjësinë profesionale të mjekëve, si dhe rrezikun e restoranteve që nuk respektojnë standardet higjieno-sanitare.


Artikulli i mëparshëmArrestimi I Mikes së Vjetër Të Edi Ramës: Skandali Që Rrëzoi Nga Piedestali “Garanten” E Reformës Në Drejtësi
Artikulli i radhësShBA I Mbyll Rafinerinë Serbisë: Vuçiç Në Panik, Ekonomia Në Prag Shoku — Rusia Refuzon Të Largohet