Babai i 14-vjeçarit të vrarë në Maliq shpërthen: “Si ka mundësi që u liruan familjarët e autorit?!”

0

Tronditja dhe revolta nuk janë shuar në familjen Xhejo, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë që liroi nga qelia babain dhe xhaxhain e Enedio Gurit – autorit të vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo më 15 gusht të këtij viti. Edison Guri dhe Roland Guri, të akuzuar për fshehje të krimit, lanë qelitë me vendim të gjyqtares Lutfije Celami, e cila zëvendësoi “arrestin në burg” me “arrest shtëpie”.

Për familjen e viktimës, ky është një vendim i pakuptueshëm, i padrejtë dhe i papranueshëm.

“Nuk na jepet asnjë shpjegim. Si ka mundësi?”

Edison Xhejo, babai i Eraldit, flet i tronditur:

“Deri dje kishim besim tek drejtësia. Sot nuk dimë më ku të kapemi. Na thonë se babai dhe xhaxhai i autorit janë liruar, por vendimi nuk na jepet. As avokatët nuk morën përgjigje. Kërkojmë drejtësi, asgjë më shumë.”

Ai kujton se në fazat e para të hetimit edhe një person tjetër – Florian Çela, që ndodhej në makinë me autorin – ishte lënë në “arrest shtëpie”, gjë që familja e ka parë si largimin e një hallke të rëndësishme përgjegjësie.

Ajo që i ka plagosur më shumë: “I fshehën provat, e lanë thikën…”

Sipas familjes Xhejo, babai dhe xhaxhai i autorit kanë luajtur rol aktiv në zhdukjen e provave:

“E fshehën armën e krimit, morën thikën, e lanë… Si lirohen këta njerëz? Ç’janë këta vendime? Kjo është padrejtësi që të shkatërron.”

Në sytë e familjes, drejtësia po lëviz kundër logjikës dhe kundër fakteve që vetë prokuroria i kishte vlerësuar si të mjaftueshme për arrestim.

“E vetmja gjë që na mbante gjallë ishte besimi tek drejtësia. Edhe ajo po na bie…”

Baba i 14-vjeçarit thotë se familja tashmë është e shkatërruar dyfish: nga humbja e djalit dhe nga vendimet gjyqësore që, sipas tyre, po relativizojnë krimin.

“Na ka tronditur më shumë lirimi i tyre sesa çdo gjë tjetër. Gjithë rrethi shoqëror na thotë: ‘Si ka mundësi?’ Ne do të kërkojmë drejtësi deri sa të kemi frymë.”

Si ndodhi ngjarja tragjike

Eraldi kishte dalë me shokët e tij. Rrugës është përballur me autorin, Enedio Guri. Sipas shokëve të djalit, një fishkëllimë e rastit, një shikim i gabuar, një debat i çastit – u kthyen në tragjedi. Thika i preku zemrën dhe 14-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.

Familja e autorit, sipas Xhejos, nuk është afruar asnjëherë për një shpjegim apo ngushëllim minimal.


Artikulli i mëparshëmSPAK Reagon Pas Shtyrjeve të njëpasnjëshme në Gjykimin e Erion Veliajt: “Pretendimet nuk qëndrojnë, aktet janë dorëzuar prej muajsh”
Artikulli i radhësShqipëria Planifikon 20 Qendra të Reja Pritëse për Emigrantët: Ja Ku Do Të Ngrihen Kampet dhe Sa Do Të Kushtojnë