
Një aksion për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës ka përfunduar në një incident të rëndë, që për pak sa nuk u shndërrua në tragjedi. Mesditën e sotme, drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), një inspektor, si edhe disa efektivë policie, janë dhunuar nga katër persona gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë Bashkiake dhe IMT-së.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës, në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës, ku po ndërmerrej një aksion për lirimin e një hapësire publike që ishte shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme. Sipas të dhënave paraprake, katër persona kanë kundërshtuar ndërhyrjen dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të IKMT-së dhe Policisë Bashkiake, me qëllim pengimin e aksionit.
Situata ka dalë jashtë kontrollit, duke detyruar ndërhyrjen e efektivëve të qarkullimit rrugor, të cilët ndodheshin në zonë për shërbim të planizuar. Gjatë përpjekjes për të shuar konfliktin, dy punonjës policie janë goditur me grushte nga disa prej personave të përfshirë në sherr.
Për shkak të agresionit të vazhdueshëm, një nga efektivët e policisë është detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër, me qëllim shpërndarjen e personave dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Si pasojë e goditjeve, dy punonjës të Policisë së Shtetit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Personat e përfshirë në konflikt janë shoqëruar në komisariat nga forcat speciale “Shqiponja”.
Njoftimi i Policisë
Në një njoftim zyrtar, Policia bën me dije se rreth orës 12:20 është raportuar një konflikt mes punonjësve të INUV (IKMT) dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Gjatë ndërhyrjes për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, dy punonjës të qarkullimit rrugor janë sulmuar fizikisht nga këta shtetas.
Në kushtet e rrezikut dhe për të ndalur sulmin, njëri prej efektivëve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër. Ngjarja është aktualisht nën hetim nga grupi hetimor, i përbërë nga oficerë të policisë gjyqësore dhe përfaqësues të AMP-së, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore të përfshira.
