
Gjatë konferencës së fundvitit, kryeministri ka reaguar me tone të ashpra ndaj një pyetjeje të drejtpërdrejtë nga gazetari Ergys Gjençaj, lidhur me pabarazinë para ligjit dhe trajtimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Pyetja, e cila kishte në fokus standardet e drejtësisë dhe mënyrën se si po trajtohet Balluku në raport me ligjin, duket se ka irrituar kryeministrin, i cili reagoi menjëherë duke ndërprerë gazetarin dhe duke vënë në dyshim qartësinë e pyetjes së tij.
“Ça po thua se s’të marr vesh? Ti nuk e di çfarë do të ndjekim ne. Këtë do ta dëgjosh kur të vijë dita. Ju shpjegova që Parlamenti nuk është noter. Ça po më kërkon tani? Ku kërkon të dalësh se s’po të marr vesh?” u shpreh Rama me tone të acaruar.
Kryeministri vijoi duke theksuar se çdo rast trajtohet veçmas dhe se, sipas tij, nuk mund të nxirren përfundime paraprake mbi vendimmarrjet e institucioneve. Ai e cilësoi pyetjen si të panevojshme dhe të përsëritur, duke shtuar se konferenca ishte e fundvitit dhe jo vendi për “djegie pyetjesh”.
“Në një rast kemi gjykuar ashtu dhe kemi thënë atë që kemi dëgjuar. Në këtë rast do gjykojmë dhe do themi atë që do të gjykojmë. Çfarë problemi ke ti? Ku e ke hallin? Pse e djeg pyetjen kot?” tha Rama.
Reagimi i kryeministrit ka rikthyer në vëmendje raportin e tensionuar mes pushtetit dhe medias kritike, veçanërisht në momente kur pyetjet lidhen me drejtësinë, SPAK-un dhe figurat kyçe të qeverisë. Episodi u pa nga shumë vëzhgues si një sinjal nervozizmi ndaj pyetjeve që prekin drejtpërdrejt çështje të ndjeshme politike dhe ligjore.
