
Kryeministri ka dalë hapur në mbrojtje të drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, , për të cilën SPAK ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Rama theksoi se Karçanaj ka qenë personi që ka strukturuar AKSHI-n dhe se gëzon, sipas tij, respektin maksimal personal dhe profesional. Kryeministri u ndal edhe te aspekti personal i jetës së saj, duke theksuar se ajo jeton me qira dhe se më parë ka banuar në shtëpinë e prindërve.
“Kjo është pjesë e hetimeve dhe nuk kam dijeni për to. Nuk mund të komentoj gjysmë të vërteta që qarkullojnë. Në krye të skuadrës së AKSHI-t është një grua që ka respektin tim të padiskutueshëm. Linda Karçanaj jeton në një shtëpi me qira, ndërsa më parë jetonte në banesën e prindërve. E njoh prej 20 vitesh dhe ka respektimin tim maksimal,” u shpreh Rama.
Ai kritikoi ashpër publikimin e pjesëve të dosjeve hetimore, duke i cilësuar ato si copëza të nxjerra në mënyrë të qëllimshme në publik, që sipas tij ushqejnë gjykime të parakohshme dhe dëmtojnë parimin e prezumimit të pafajësisë.
Sipas Ramës, nxjerrja e fragmenteve nga hetimet krijon një klimë linçimi publik, ku persona që ende nuk janë gjykuar shpallen fajtorë në sytë e opinionit. Ai akuzoi gjithashtu disa figura publike dhe media për hipokrizi, duke i quajtur “kapakë tenxheresh” që, sipas tij, përfitojnë paga të padeklaruara dhe më pas flasin për pensionistët.
“Unë jam në dispozicionin tuaj që të më fusni në tenxhere. Por sa më shumë të më sulmoni, aq më shumë më forconi. Po të doni të më dëmtoni, mos më fusni në tenxhere, se më i fortë do jem,” deklaroi Rama, duke përdorur sërish gjuhë ironike dhe konfrontuese.
Mbrojtja e hapur politike ndaj një zyrtareje të lartë nën masë sigurie nga SPAK ka rikthyer në vëmendje debatin mbi raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë së re, si dhe mbi kufijtë e deklaratave publike të kryeministrit për çështje që janë ende nën hetim penal.
