SPAK Dhe BKH Godasin Një Rrjet Call Center-ash Në Tiranë

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, përfundoi një operacion të koordinuar në Tiranë kundër një rrjeti call center-ash të dyshuara për mashtrim financiar ndërkombëtar. Aksioni u zhvillua në dy pallate ku, sipas hetimeve, ushtrohej aktivitet i paligjshëm që synonte qytetarë të Bashkimit Europian.

Gjatë operacionit, dhe arrestuan disa persona, ndërsa tre të tjerë u shpallën në kërkim. Në mesin e të kërkuarve janë tre vëllezër — Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj — me Alfred Prekajn të identifikuar si pronar i kompanisë “Balkanspro”, e regjistruar me objekt veprimtarie call center dhe telemarketing.

Hetuesit sekuestruan pajisje kompjuterike dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se përdoreshin për menaxhimin dhe fshehjen e përfitimeve nga mashtrimi. Sipas dosjes hetimore, skema mbështetej në telefonata që u premtonin viktimave fitime të shpejta përmes një investimi fillestar prej 250 eurosh, duke i orientuar drejt platformave digjitale që simulonin investime reale, por që në fakt nuk ekzistonin.

Burime nga hetimi bëjnë të ditur se grupi ndryshonte shpesh ambientet me qira për të humbur gjurmët dhe për të shmangur kontrollin e autoriteteve. Një nga lokacionet e përmendura në hetime është kati i 13-të i kullës “4Ever Green Tower”, pranë Gjykatës së Lartë në qendër të Tiranës, ku aktiviteti ishte zhdukur në momentin e ndërhyrjes së autoriteteve.

Indici i rëndësishëm për nisjen dhe thellimin e hetimeve ishte edhe një investigim i emisionit italian , i cili kishte infiltruar një person si operator në një call center në Tiranë, duke dokumentuar nga brenda mënyrën e funksionimit të skemës. Sipas këtij investigimi, në rrjet dyshohet se ishte i përfshirë edhe një polic italian, i cili rekrutonte të rinj në Itali dhe i dërgonte për të punuar si operatorë në call center-at mashtruese në Tiranë dhe në vende të tjera.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë të përfshirët, për të gjurmuar flukset financiare dhe për të dokumentuar plotësisht shtrirjen ndërkombëtare të aktivitetit. Rasti pritet të ketë zhvillime të mëtejshme, ndërsa SPAK dhe BKH sinjalizojnë një qasje më të ashpër ndaj krimit të organizuar financiar dhe mashtrimeve digjitale me ndikim ndërkufitar.

Artikulli i mëparshëmHakan Fidan: Turqia Kundërshton “Çdo Ndërhyrje Ushtarake” Ndaj Iranit
Artikulli i radhësAksident Me Vdekje Në Palasë, Fadroma Përplas Një Person Në Kantier