
Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mbi të ardhmen e Groenlandës po hyn në një fazë gjithnjë e më të ashpër, me deklarata që rrisin ndjeshëm tensionin diplomatik në kampin perëndimor. Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë të zhvendosin fokusin e tyre nga Groenlanda drejt krizave që, sipas tij, përbëjnë rrezikun real për sigurinë globale: Rusia dhe lufta në Ukrainë.
Në një intervistë për NBC News, Trump ka theksuar se Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga presioni ekonomik ndaj aleatëve, duke paralajmëruar se tarifat shtesë doganore do të vendosen “100%” nëse nuk arrihet një marrëveshje për statusin dhe sigurinë e ishullit arktik. I pyetur drejtpërdrejt nëse Shtetet e Bashkuara do të përdornin forcën ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës, presidenti amerikan u mjaftua me një përgjigje të shkurtër: “Pa koment”.
Deklaratat e Trumpit kanë ngjallur reagime edhe brenda institucioneve amerikane. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, kujtoi se sipas Kushtetutës së SHBA-së, vetëm Kongresi ka autoritetin për të shpallur luftë. Ai theksoi se nuk sheh asnjë skenar realist në të cilin Shtetet e Bashkuara do t’i shpallnin luftë Groenlandës, duke shtuar se çdo ndërhyrje ushtarake në shkallë të gjerë do të kërkonte domosdoshmërisht miratimin e Kongresit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sqarimeve institucionale, Trump nuk ka dhënë asnjë sinjal tërheqjeje nga retorika e tij. Përmes një postimi në platformën Truth Social, ai ka akuzuar Danimarkën për dështim afatgjatë në përballjen me atë që e cilëson si “kërcënim rus” në Groenlandë. Sipas tij, NATO i ka kërkuar prej më shumë se dy dekadash Kopenhagenit të marrë masa konkrete për sigurinë e ishullit, por pa rezultat.
“Tani ka ardhur koha dhe ne do ta bëjmë”, shkroi Trump, duke lënë të kuptohet se SHBA-të janë të gatat të marrin rol më aktiv në Groenlandë, edhe nëse kjo sjell përplasje të reja me aleatët evropianë.
Ndërkohë, në Europë po shtohet shqetësimi se retorika amerikane rrezikon të hapë një front të ri tensioni në një moment kur kontinenti po përballet tashmë me pasojat e luftës në Ukrainë dhe me rritjen e presionit nga Rusia. Debati për Groenlandën, një territor strategjik për shkak të pozicionit gjeografik dhe burimeve natyrore, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një test të marrëdhënieve transatlantike dhe të unitetit brenda NATO-s.
