
Ajo që ndodhi në nuk është një episod teknik dhe as një incident i izoluar. Ishte një moment brutal qartësie, një çast ku sistemi u zhvesh nga propaganda dhe tregoi fytyrën reale: një shtet që nuk e ka jetën njerëzore si prioritet absolut.
Kur një spital universitar, zemra e shëndetësisë publike, futet në errësirë, problemi nuk është energjia. Problemi është zinxhiri i përgjegjësive që nuk funksionon, nga ministria deri te drejtori i fundit që firmos raporte formale dhe fle i qetë.
Në një vend normal, spitali është territori ku politika ndalet. Është zona neutrale ku gabimet nuk tolerohen, sepse çmimi i tyre është i pakthyeshëm. Në Shqipëri, spitali duket se është kthyer në një institucion improvizimi, ku gjithçka mbahet me shpresë dhe lutje, jo me sisteme funksionale.
Heshtja e ministrisë ishte po aq alarmante sa errësira vetë. Asnjë ndjesi urgjence, asnjë reagim proporcional me rrezikun. Një qetësi e ftohtë burokratike, sikur të ishte ndërprerë ndriçimi i një magazine, jo furnizimi me energji i repartit që ndan jetën nga vdekja.
Dhe këtu lind pyetja që askush nuk dëshiron ta bëjë publikisht:
A drejtohet shëndetësia nga profesionistë apo nga menaxherë imazhi?
Nga njerëz që njohin peshën e një sekonde në terapi intensive, apo nga administratorë që dinë vetëm të rregullojnë pamjen e fasadës?
Problemi nuk është se dështuan gjeneratorët. Problemi është se askush nuk ka frikë nga pasojat. Askush nuk mendon se do të mbajë përgjegjë penale, administrative apo morale. Dhe kur frika nga llogaridhënia zhduket, dështimi bëhet rutinë.
Sot, sistemi u shpëtua nga rasti. Nesër, mund të mos jetë kaq “me fat”. Dhe një shtet që funksionon me fat nuk është shtet funksional, por një eksperiment i rrezikshëm mbi jetët e qytetarëve.
Kjo ngjarje nuk kërkon deklarata qetësuese. Kërkon veprime të dhimbshme për pushtetin, shkarkime, hetime reale, auditime të pavarura, dhe transparencë totale.
Sepse nëse errësira e QSUT kalon pa pasoja, mesazhi është i qartë: jeta në Shqipëri nuk vlen sa duhet për të rrëzuar askënd nga karrigia. Dhe ky është skandali më i madh nga të gjithë.
