
Situata u tensionua rëndë mbrëmjen e sotme gjatë protestës kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, ku protestues të Partisë Demokratike hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës qeveritare, duke shkaktuar tym dhe flakë. Ngjarja ndodhi menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili pak minuta më parë kishte shpallur atë që e quajti “revoltë popullore” kundër qeverisë.
Sipas informacioneve nga terreni, veprimi i protestuesve u krye si shenjë revolte ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama , ndërsa pamjet nga protesta treguan flakë të përhapura pranë hyrjes së Kryeministrisë dhe re të dendura tymi në bulevard.
Policia ndërhyri menjëherë me autobotë uji për të shuar flakët dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Gjatë përplasjeve, raportohet se dy efektivë policie janë lënduar, ndërsa një simpatizant i opozitës u përfshi nga flakët e lëndës ndezëse dhe u transportua me urgjencë për ndihmë mjekësore. Po ashtu, një tjetër person u ndje keq nga gazi lotsjellës dhe u dërgua me ambulancë drejt spitalit.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit u shpërndanë gradualisht nga zona e Kryeministrisë dhe një pjesë e tyre u drejtuan në marshim drejt Kuvendit, ku u shënuan sërish tensione dhe prani e shtuar e forcave policore. Qindra efektivë rrethuan godinën e Parlamentit për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Ky skenar nuk është i panjohur, pasi edhe në protestën e 22 dhjetorit, protestues kishin hedhur molotovë drejt Kryeministrisë, duke sjellë përplasje të forta mes turmës dhe policisë. Edhe këtë herë, pavarësisht incidenteve, protesta u karakterizua nga pjesëmarrje masive e qytetarëve, të cilët kërkuan largimin e qeverisë dhe ndryshim politik.
Berisha dhe deputetët demokratë paralajmëruan se nuk do të heqin dorë nga tubimet, duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar të plotë mbi të lënduarit dhe dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestës.
