Arrestimet E Paligjshme, Gjykata Liron 19 Protestuesit E 24 Janarit

0

Gjykata e Tiranës vendosi sot lirimin e 19 qytetarëve të arrestuar pas protestës së 24 janarit, të thirrur nga opozita para Kryeministrisë, duke i lënë të gjithë me masën “detyrim paraqitje”. Vendimi rrëzoi kërkesat e prokurorisë, e cila kishte kërkuar arrest me burg për 5 protestues dhe arrest shtëpie për 5 të tjerë.

Togat e zeza argumentuan se provat e paraqitura nga organi i akuzës nuk justifikonin masa të rënda sigurie, duke sjellë lirimin e të gjithë të rinjve të ndaluar pas protestës.

Lista e protestuesve të liruar

  • Ergi Shkurta
  • Ervis Mirashi
  • Ardian Toli
  • Sali Saraci
  • Besnik Bali
  • Leonard Xhabexhiu
  • Rei Hasku
  • Alket Toska
  • Edison Huli
  • Blendi Spaho
  • Elton Hoti
  • Roni Bizhoti
  • Hamza Cani
  • Tomas Koja
  • Ardian Lici
  • Anduel Lleshi
  • Anastas Mema
  • Alan Lika
  • Klodian Bajrami

Avokatja Eda Grimçi e cilësoi procesin si shembull flagrant të arrestimeve të paligjshme, duke theksuar se dosjet e paraqitura nga policia dhe prokuroria nuk përmbanin prova konkrete. Sipas saj, në shumicën e rasteve mungonin pamjet filmike apo fotografike, ndërsa për disa persona ishin përdorur vetëm raporte shërbimi të firmosura nga disa efektivë policie, të cilat nuk përbëjnë prova penale të vlefshme.

Ajo rikujtoi edhe një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundër Shqipërisë, ku theksohet se masat e sigurisë nuk mund të tejkalojnë faktin konkret, dhe se arrestimi me burg nuk mund të justifikohet mbi dyshime apo dokumente formale pa prova.

Seanca u ndoq nga deputetë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shumtë, të cilët u mblodhën për të shprehur mbështetje ndaj protestuesve të ndaluar. Belind Këlliçi dhe Besart Xhaferri denoncuan publikisht dhunën policore, duke paralajmëruar përgatitjen e një kallëzimi penal ndaj efektivëve që, sipas tyre, ushtruan dhunë dhe arrestuan edhe të mitur.

Në fund të seancës, avokati Marash Logu denoncoi një tjetër skandal, duke deklaruar se policia ka mashtruar publikun për numrin e efektivëve të plagosur gjatë protestës. Sipas tij, ndonëse u raportua se 11 policë ishin lënduar, vetëm 4 prej tyre kanë deklaruar zyrtarisht se kanë pësuar dëmtime.

Vendimi i gjykatës shihet si një goditje e fortë ndaj praktikave të arrestimeve masive pas protestave dhe ka rihapur debatin mbi përdorimin e forcës nga policia, respektimin e të drejtës për protestë dhe standardet ligjore të ndjekura nga organet e drejtësisë në Shqipëri.

Artikulli i mëparshëmGjykata Kushtetuese Shtyn Vendimin Për Belinda Ballukun, Tension Politik Dhe Presion Ndërkombëtar
Artikulli i radhësBE-ja Dhe India Arrijnë Marrëveshje Historike Për Uljen E Tarifave, Krijohet Një Treg Me 2 Miliardë Qytetarë Dhe 25% Të PBB-Së Globale