Tërhiqet Nga Tregu Qumështi Për Foshnja “Aptamil”, AKU Thirrje Konsumatorëve Ta Kthejnë Në Pikat E Shitjes

0

Qumështi formulë për foshnja “Aptamil” është tërhequr nga tregu shqiptar, pas konstatimit të pranisë së baktereve të rrezikshme, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore të produkteve për foshnjat. Rasti vjen vetëm pak ditë pasi nga tregu u hoq edhe formula “NAN 1 OPTIPRO”, duke thelluar alarmin për qumështin pluhur për moshat 0–2 vjeç në mbarë Evropën.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se vendimi për tërheqjen e produktit është marrë pas një sinjalizimi të ardhur nga Sistemi Evropian i Alarmit për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF). Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, në formulën për foshnja është konstatuar prania e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, e cila përbën rrezik serioz për shëndetin e foshnjave.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për produktin me këto të dhëna identifikuese:
Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED
Numri i artikullit: 172911
Data e skadencës: 10/11/2026

AKU bën me dije se trupat inspektuese janë angazhuar menjëherë në terren për verifikimin e situatës dhe tërheqjen e plotë të këtij produkti nga tregu. Paralelisht, autoriteti u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që e kanë blerë këtë qumësht formulë dhe e kanë ende në përdorim, ta kthejnë pa hezitim në pikat e shitjes ku është blerë.

“Aptamil” është një nga formulat më të përdorura për foshnjat në tregun shqiptar dhe europian, çka e bën këtë rast edhe më shqetësues. Ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se prania e toksinave bakteriale në produkte të destinuara për foshnja përbën një rrezik të lartë, për shkak të ndjeshmërisë së organizmit në këtë moshë.

Problematika e qumështit formulë për foshnja po shfaqet si një çështje serioze në disa vende të Bashkimit Evropian, duke vënë në pikëpyetje zinxhirin e kontrollit dhe standardet e sigurisë ushqimore për produktet më të ndjeshme të tregut.

Autoritetet shqiptare u bëjnë thirrje prindërve për kujdes maksimal dhe ndjekje të njoftimeve zyrtare, ndërsa theksojnë se çdo rast i ngjashëm do të trajtohet me masa të menjëhershme për të garantuar shëndetin e fëmijëve.

Artikulli i mëparshëmUkraina Në Errësirë Totale, BE Miraton 145 Milionë Euro Ndihmë Humanitare Dhe Dërgon Gjeneratorë Elektrikë
Artikulli i radhësBashkimi Europian Liston Gardën Revolucionare Të Iranit Si Organizatë Terroriste