
Pas disa ditësh protestash në zonën e Rrjollit, në Velipojë, banorët kanë dalë sërish sot në protestë, këtë herë përpara Prokurorisë së Posaçme. Ata kundërshtojnë ndërtimin e një resorti luksoz në këtë zonë dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve.
Sipas banorëve, rreth 60 familje preken drejtpërdrejt nga projekti, i cili sipas tyre po cenon pronat dhe zonën natyrore të Rrjollit. Protestuesit shprehen se nuk janë konsultuar dhe se procesi i dhënies së lejes së ndërtimit ka qenë i mbyllur dhe i dyshimtë.
Një ditë më parë, banorët deklaruan se leja e ndërtimit për resortin turistik është firmosur nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, fakt që sipas tyre kërkon hetim nga organet e drejtësisë.
Me protestën para SPAK, banorët kërkojnë që Prokuroria e Posaçme të hetojë ligjshmërinë e projektit dhe të ndalojë ndërtimin, duke e cilësuar çështjen si një abuzim të rëndë me pronën dhe interesin publik.
