
Dashnor Sula u shfaq sot zyrtarisht si Kryeinspektor i Përgjithshëm, duke hyrë pa zhurmë në qeverinë që deri dje e përshkruante me tone apokaliptike. Nga kritiku i ashpër i pushtetit, në vartës të devotshëm – një kthesë që në politikën shqiptare nuk habit më askënd.
Me një seriozitet mbresëlënës, Sula premtoi se do të punojë 24 orë në ditë, do të respektojë orarin dhe madje edhe do të punojë jashtë orarit. Një zotim i fortë, sidomos për një vend ku problemet nuk kanë ardhur kurrë nga mungesa e orëve, por nga mënyra se si janë përdorur ato.
Në përpjekje për ta bërë kalimin sa më të butë, Sula sqaroi se me ministren dhe kryeministrin nuk kanë qenë kurrë armiq, thjesht “përballë”. Një përballje klasike shqiptare, që zakonisht përfundon sapo hapet një zyrë e lirë.
Ironia e madhe është se qeveria, e cilësuar dikur nga vetë Sula si “super e korruptuar”, sot nuk përbën më problem. Me sa duket, korrupsioni ka një veçori të çuditshme: të duket i padurueshëm kur je jashtë sistemit dhe krejt i menaxhueshëm sapo futesh brenda.
Nga ky moment, korrupsioni nuk luftohet më, por inspektohet me orar të zgjatur. Nuk është më skandal, por sfidë. Nuk është më alarm publik, por përgjegjësi institucionale. Dhe mbi të gjitha, nuk është më arsye për të bërë opozitë.
Kështu, Dash Sula nuk hyn në qeveri si njeriu që do ta tronditë sistemin, por si një tjetër provë se në politikën shqiptare, problemi nuk është mungesa e parimeve, por fleksibiliteti i tyre. Një fleksibilitet që funksionon 24 orë në ditë.
