PS Propozon Kalimin E Tenderave Të AKSHI Tek Një Shoqëri Aksionere

0

Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë një projektligj të depozituar nga deputeti socialist Erjon Malaj, i cili parashikon heqjen e kompetencës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për të kryer prokurime dhe për të lidhur kontrata në fushën e sistemeve digjitale të shtetit.

Sipas draftit, këto funksione do t’i transferohen një shoqërie aksionere në fushën e teknologjisë së informacionit, ku shteti do të zotërojë të paktën 51 për qind të aksioneve. Shoqëria do të merret me zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e platformave dhe infrastrukturës së qeverisjes elektronike.

Nisma vjen pas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, që çoi në marrjen të pandehur të disa zyrtarëve dhe personave të lidhur me tenderat e AKSHI. Mes tyre janë drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmeni Ergys Agasi, të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Projektligji kërkon ndryshime në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, duke shfuqizuar dispozitat që i japin AKSHI-t kompetencën për prokurimet e qendërzuara dhe kontratat për sistemet e teknologjisë së informacionit, përfshirë edhe ato të klasifikuara si sekret shtetëror për institucionet e administratës, mbrojtjes dhe sigurisë.

Në modelin e ri, AKSHI do të mbajë funksione standardizuese teknike, arkitekturore dhe monitoruese, ndërsa institucionet publike do të paguajnë shoqëritë operatore TIK përmes kontratave të shërbimit për mirëmbajtjen e sistemeve.

Projektligji pritet të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare përpara se të kalojë për votim në seancë plenare./Reporter.al

Artikulli i mëparshëmKur Reforma Vjen Pas Skandalit: A Po Ndryshon Modeli Apo Vetëm Forma?
Artikulli i radhësKonstituohet Kuvendi I Kosovës, Albulena Haxhiu Zgjidhet Kryetare