Konstituohet Kuvendi I Kosovës, Albulena Haxhiu Zgjidhet Kryetare

0

Kuvendi i Kosovës është konstituar këtë të martë, duke shënuar nisjen e legjislaturës së re. Seanca u drejtua nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i asistuar nga deputetja më e re në moshë, Fatma Tuci.

Fillimisht u formua komisioni për verifikimin e mandateve, ndërsa më pas deputetët bënë betimin solemn. Fjalën e betimit e lexoi kryesuesi i seancës dhe 118 deputetët e pranishëm e përsëritën duke deklaruar “Betohem”, përpara se të nënshkruanin deklaratën përkatëse.

Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime. Kundër votuan LDK, PDK dhe Lista Serbe, ndërsa AAK abstenoi. Në fjalën e saj të parë, Haxhiu theksoi se detyra e deputetëve është t’u shërbejnë qytetarëve dhe bëri thirrje për debat me argumente, pavarësisht dallimeve politike.

Ajo përmendi gjithashtu zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë, duke deklaruar se përgjegjësia për krimet në Kosovë i takon Serbisë dhe duke shprehur pritjen që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt në vend.

Në vijim të seancës u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit: Ardian Gola nga LVV, Vlora Çitaku nga PDK, Kujtim Shala nga LDK, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Emilia Rexhepi nga Grupi Multietnik. Kandidaturat u miratuan me 104 vota pro, 3 kundër dhe 6 abstenime.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaroi se partia fituese duhet të sigurojë votat për formimin e institucioneve dhe theksoi se LDK nuk do të mbështesë kandidatë pa një marrëveshje politike mes partive.

Artikulli i mëparshëmPS Propozon Kalimin E Tenderave Të AKSHI Tek Një Shoqëri Aksionere
Artikulli i radhësErdogan Dhe Mitsotakis Takohen Në Ankara, Theksojnë Nevojën Për Dialog