
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues në Hagë se vendimet e tij gjatë luftës ishin të diktuara nga rrethanat dramatike me të cilat përballej populli i Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në seancën e Gjykatës Speciale, ai u shpreh se kthimi i tij në Kosovë në pranverën e vitit 1998 ishte një vendim personal, i marrë në një moment kur, sipas tij, vendi po përballej me rrezik shfarosjeje. Thaçi theksoi se nuk mund të qëndronte indiferent ndërsa familja dhe bashkëkombasit e tij përballeshin me dhunë dhe masakra.
“Bëra atë që do ta bënte secili”, deklaroi ai, duke shtuar se është krenar për atë zgjedhje dhe se nuk pendohet për asnjë moment. Sipas tij, ishte e pamundur të qëndronte anash ndërsa populli i tij përballej me rrezik ekzistencial.
Në deklaratën e tij, ish-presidenti i cilësoi të rënda dhe ofenduese pretendimet e prokurorisë se qëllimi i luftës kishte qenë marrja e kontrollit mbi Kosovën. Ai e konsideroi këtë akuzë si një fyerje ndaj kujtimit të mijëra personave që, sipas tij, dhanë jetën për lirinë e vendit, si dhe ndaj përpjekjeve të NATO-s dhe vendeve perëndimore.
Thaçi nënvizoi se gjatë periudhës së luftës nuk ishte i sigurt nëse do të mbetej gjallë apo nëse do të shihte sërish familjen e tij. Sipas tij, fakti që disa prej bashkëluftëtarëve janë sot gjallë është çështje fati, duke theksuar se në atë kohë askush nuk mund të parashikonte të ardhmen.
Deklaratat e tij në Hagë vijnë në një moment kyç të procesit gjyqësor, ndërsa mbrojtja dhe prokuroria vijojnë përballjen në një nga çështjet më të ndjeshme që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë.
