Detergjentët drejt shtrenjtimit nga maji, prodhuesit paralajmërojnë rritje të çmimeve

0

Pas një vale të re rritjesh në tregun vendas, ku karburantet janë shtrenjtuar me rreth 22% dhe vaji ushqimor deri në 8%, prodhuesit paralajmërojnë se rritja e çmimeve pritet të prekë edhe detergjentët dhe preparatet larëse duke nisur nga muaji maj.

Shumë prej produkteve si pluhurat larës prodhohen në Shqipëri, por varen ndjeshëm nga lëndët e para të importuara. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e sapunëve larës vjen tërësisht nga importi. Sipas prodhuesve vendas, furnitorët e huaj kanë njoftuar për rritje të çmimeve të lëndëve të para në intervalin 15% deri në 20%, krahasuar me periudhën para nisjes së luftës në Ukrainë.

Rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit në fabrikat jashtë vendit, duke shtuar presionin mbi çmimet finale. Po ashtu, një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe shtrenjtimi i transportit ndërkombëtar, i cili rrit ndjeshëm kostot për importuesit dhe prodhuesit vendas.

Duke marrë në konsideratë kohën e furnizimit, që zakonisht varion nga 30 deri në 45 ditë, operatorët e tregut presin që efektet e këtyre rritjeve të reflektohen në çmimet përfundimtare në treg që në fillim të muajit maj.

Rritja e çmimeve konsiderohet e pashmangshme edhe për produktet e gatshme të importuara, pasi furnitorët e huaj kanë aplikuar tashmë çmime më të larta për këto mallra.

Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në mars të vitit 2022, menjëherë pas nisjes së luftës në Ukrainë, kur çmimet e detergjentëve në tregun vendas u rritën nga 10% deri në 20%. Në atë kohë, ndikimi kryesor erdhi nga shtrenjtimi i lëndëve të para dhe rritja e tarifave të transportit, ndërsa prodhuesit raportuan edhe një rënie të kërkesës si pasojë e zhvillimeve ekonomike dhe demografike.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u importuan rreth 68.3 milionë kilogramë produkte të grupit “sapun, preparate larëse, lubrifikues dhe qirinj”, duke shënuar një rritje prej 2% krahasuar me vitin 2024.

Megjithatë, për periudhën janar-shkurt 2026, importet e këtij grupi kanë pësuar një rënie prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prodhuesit vendas e lidhin këtë zhvillim me rënien e kërkesës, e ndikuar nga ndryshimet demografike dhe emigracioni, që kanë reduktuar konsumin në tregun e brendshëm.

Burimi: Monitor

Artikulli i mëparshëmEvis Sala Dhe Edi Rama I Kërkojnë Shqiptarëve Të Sëmuren Para Datës 20 Të Muajit
Artikulli i radhësKrizë Naftë Në Shqipëri: Importuesit Paralajmërojnë Bllokim Të Furnizimit Pas Vendimit Të Bordit