Krizë Naftë Në Shqipëri: Importuesit Paralajmërojnë Bllokim Të Furnizimit Pas Vendimit Të Bordit

0

Furnizimi me naftë në vend rrezikohet.

Pas vendimit të djeshëm të Bordit të Transparencës, që fiksoi çmimet e tregtimit me pakicë të naftës dhe benzinës në vend, përkatësisht në 203 dhe 175 lekë për litër (nga 214 dhe 199 lekë që ishin më parë), dhe ato të shumicës në 191 dhe 163 lekë për litër, ka ardhur reagimi i importuesve të mëdhenj të naftës.

Ata kanë paralajmëruar “Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë” dhe “Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë” se për të shmangur shitjen nën kosto, e cila do të sillte humbje shumë të mëdha, janë të detyruar të marrin masa të përkohshme, konkretisht:

  • Pezullimin dhe kufizimin e shitjes me shumicë të naftës dhe benzinës;
  • Frenimin dhe kufizimin e procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano, deri në një moment të dytë.

Monitor zotëron të paktën dy shkresa, që kompanitë importuese i kanë çuar sot “Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë” dhe “Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”.

Importuesit e argumentojnë këtë vendim me pretendimin se çmimet me pakicë që ka vendosur Bordi i Transparencës janë nën kosto.

Në shkresë, sqarohet se në vijim të publikimit të fundit të çmimeve nga Bordi i Transparencës, me datë 26 Mars 2026, ku është përcaktuar çmimi tavan i shitjes me shumicë për naftën në nivelin 191 lek/litër dhe për benzinën në nivelin maksimal 163 lek/litër, dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni për problematikat e rëndësishme që lidhen me mënyrën e përllogaritjes së këtyre çmimeve.

Sipas importuesve, përllogaritja është bazuar në formulën e përdorur në vitin 2022, e cila nuk reflekton kushtet aktuale të tregut dhe, në veçanti, kontratat në fuqi që ne kemi me furnitorët tanë. Si rrjedhojë, çmimet e përcaktuara nuk pasqyrojnë kostot reale që aktualisht formojnë çmimin e një litri nafte dhe benzine për tregtimin me shumicë.

Mbyllja e bursës më datë 26 Mars 2026:

Nafta = 1,402.5 $/Ton, rritje prej 134.75 $/Ton
Benzina = 1,037.25 $/Ton, rritje prej 49.25 $/Ton

Duke u bazuar në premiot aktuale që kemi:

Nafta = CIF +55 $/Ton
Benzina = CIF +75 $/Ton

Kostot sot janë:

Nafta = 206.2 lek/litër
Benzina = 169.7 lek/litër

Çmimet e shitjes me shumicë, me një marzh bruto prej 3 lek/litër, sot duhet të jenë:

Nafta = 209.2 lek/litër
Benzina = 172.7 lek/litër

Pra, evidentohet një diferencë shumë e madhe ndërmjet çmimeve të shitjes që duhet të ishin sot dhe çmimeve të shitjes të përcaktuara nga Bordi i Transparencës, konkretisht nafta rezulton 18.2 lek/litër më e lartë, ndërsa ajo e benzinës 9.7 lek/litër më e lartë, thuhet në shkresën e importuesve.

Importuesit kanë kërkuar në shkresat e tyre që të mblidhet sa më shpejt “Bordi i Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimit të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit” për miratimin e çmimeve të reja të shitjes për produktet gasoil dhe benzine.

Ata kërkojnë të rishikohet metodologjia e përllogaritjes ku çmimi të aplikohet në kushtet CIF Med, si dhe premium për gazoilin të llogaritet me +50$/Ton dhe për benzinën +75$/Ton.

Po ashtu, kërkojnë që marzhet bruto të llogariten për gazoilin +3.5 lek/litër në shumicë dhe +15 lek/litër në pakicë; për benzinën +4.5 lek/litër në shumicë dhe +16 lek/litër në pakicë.

Gjatë ditës së sotme, pas vendimit të Bordit të Transparencës, në pikat e tregtimit të naftës me pakicë çmimi është ulur 11 lekë për litër. Nga 214 lekë për litër, nafta po tregtohet me 203 lekë për litër. Rënie të çmimit është shënuar edhe për benzinën, nga 199 lekë për litër që tregtohej më parë, në 175 lekë për litër.

Më herët importuesit kishin paralajmëruar se nëse çmimet do të ulen nën kosto, ata do të ndërprisnin furnizimin, pasi qeveria nuk mund t’u kalojë atyre të gjitha kostot e luftës. Sipas tyre, kosto nuk mund të jetë ajo që cakton një bord, por ajo që është faktike, e provuar me kontratë dhe faturë furnitori, dhe që merret si referencë nga dogana për efektet e TVSH-së. Asnjë bord apo ent nuk ka legjitimitet të detyrojë një subjekt të shesë nën kosto.

Shqipëria i ka çmimet e naftës 30-40% më të larta se vendet e rajonit, por kjo sipas importuesve argumentohet me barrën e lartë të taksave që paguhen mbi çmimin e naftës. Aktualisht, një shqiptar paguan rreth 1.16 euro taksa për litër naftë (53% të çmimit final), ndërsa në Maqedoninë e Veriut paguhen 0.58 euro për litër (36%), në Mal të Zi 0.55 euro (35%), dhe në Kosovë 0.67 euro (38.5%).

Importuesit theksojnë gjithashtu se ulja e akcizës prej 20%, e cila pritej të ndikonte çmimin e naftës me 8-10 lekë për litër, nuk ka hyrë ende në fuqi.

Kjo situatë ka bërë që shumë përdorues automjetesh të furnizohen me karburant në vendet fqinjë, duke shpenzuar deri në 1 milion euro në ditë.

Artikulli i mëparshëmDetergjentët drejt shtrenjtimit nga maji, prodhuesit paralajmërojnë rritje të çmimeve