Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë: Mbyllja e RTV Ora një keqpërdorim i pastër pushteti

0

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me vendimin për mbylljen e RTV ORA, duke shprehur solidaritet me kolegët e televizionit.

Në reagim thuhet se ky akt është një gjest selektiv, aspak në proporcion me dëmin e pretenduar, një keqpërdorim i pushtetit me pretekst epideminë, për të intimiduar mediat.

Deklarata e plotë: 

‘Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë solidarizohen me kolegët e Radio Televizionit Ora, që po përballen me një akt selektiv për mbylljen e aktivitetit, me pretendimin e shkeljes së rregullave anti Covid në transmetimet televizive.
Shoqatat tona e konsiderojnë këtë akt, një gjest selektiv, aspak në proporcion me dëmin e pretenduar, një keqpërdorim i pushtetit me pretekst epideminë, për të intimiduar mediat. Një zell selektiv ndaj RTV Ora, që nuk u përdor në raste të ngjashme.
Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm, që mund të përdoret edhe ndaj mediave kritike me qeverinë, edhe pse vendi është në fazën e lirimit të masave shtrënguese për shkak të Covid-19.
Shqipëria është ndër vendet e rralla, ku masmedia nuk është ndihmuar aspak financiarisht nga qeveria, pavarësisht se kanë bërë të ditur vështirësi serioze financiare në kushtet e epidemisë së Covid. Për pasojë ky zell selektiv për të ndëshkuar median është keqpërdorim i pastër i pushtetit, si dhe akt censure ndaj një medie kritike ndaj qeverisë.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bëjnë thirrje qeverisë të tërhiqet nga akti selektiv për mbylljen e RTV Ora, e të mos cënojë mediat, të cilat kanë qenë në linjën e parë të kësaj sfide edhe shqiptare, për të informuar qytetarët, pasqyruar situatën në terren e përcjellë mesazhet edhe të vetë qeverisë, pa asnjë lloj ndihme prej kësaj të fundit! 

Artikulli i mëparshëmVendi i vetëm në botë që ka mposhtur koronavirusin
Artikulli i radhësHapja e kufirit/ Kurti i përgjigjet Ramës: Drejtues i qeverisë jam unë